Një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç është paralajmëruar për javën e ardhshme.
Mirëpo, ashtu sikurse ka ndodhur në shumë prej takimeve të ngjashme, nuk pritet që të ketë ndonjë rezultat, me Serbinë që do të insistojë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nga takimi i ardhshëm i nivelit të lartë nuk pres rezultate porse do të dëgjojmë akuza të ndërsjella ndaj njëra-tjetrës, me theks të veçantë nga ana e Serbisë në adresë të Kosovës e po ashtu edhe kërkesë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha politologu Fidan Ukaj.
Një temë që ka qenë aktuale këto kohë e që Lajçak tha se është i gatshëm ta shtrojë në tryezën e bisedimeve është ajo e hapjes së urës së Ibrit që ndan Mitrovicën në dy pjesë.
Mirëpo, në Prishtinë nuk mendojnë se kjo çështje duhet të ngrihet në këtë takim.
“Institucionet e Kosovës duhet t’ia rikujtojnë faktorit ndërkombëtar dhe ta hapin urën sigurisht në bashkëpunim me KFOR-in e EULEX-in dhe asesi nuk duhet të lejohet që një temë e tillë të zhvendoset në Bruksel dhe të diskutohet me Serbinë mundësia e hapjes së urës së Ibrit”, shton Ukaj.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, deklaroi se nuk e kuptonte takimin e nivelit të lartë pasi Serbia nuk ka bërë asgjë për zbatim të marrëveshjes ndërsa akuzoi Kurtin se po shkon në Bruksel për të kërkuar leje nga Vuçiç për të hapur urën mbi Ibër. (A2 Televizion)