Ish-diplomati amerikan William Walker, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, deklaroi se masakra e Reçakut kërkon ende një hetim të thelluar për të përcaktuar përgjegjësit politikë dhe ushtarakë në Serbi.
Sipas tij, vëmendja duhet të përqendrohet tek urdhërdhënësit e krimeve, dhe jo tek UÇK-ja.
“Duhet një hetim i thelluar, që BE-ja dhe Gjykata e Hagës t’i kushtojnë vëmendje se cilët ishin drejtuesit në Beograd që kryen këto krime dhe dhanë urdhrat për to, sesa të shohin UÇK-në,” u shpreh Walker.
Ai theksoi se ngjarja e Reçakut ishte një pikë kthese historike, që ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimet e mëvonshme në Kosovë.
“Ajo që ndodhi pas Reçakut ndryshoi kursin e historisë dhe jo fjalët e mia. Unë dola në përfundimin se viktimat ishin civilë, banorë të një fshati të vogël, që ishin marrë në mes të natës. Regjimi nuk pati kohë ta ndryshonte vendngjarjen për ta bërë të përputhshme me trillimin e tij,” deklaroi ai.
Walker foli edhe për mosmarrëveshjen fillestare me mjeko-ligjoren finlandeze, Helena Ranta, e cila në ditët e para pas ngjarjes ngurroi ta cilësonte masakër, dhe se siç u raportua në shtyp e kishte qëlluar me laps.
“Doktoresha Ranta erdhi në Kosovë shumë ditë pas masakrës. Patëm mosmarrëveshje kur ajo i tha botës se nuk përcaktonte dot se çfarë kishte ndodhur. Më vonë, kur doli raporti, aty nuk kundërshtohej asgjë nga përfundimet e mia. Pra, vetëm në ditët e para patëm mosmarrëveshje, kur ajo nuk thoshte dot me siguri se çfarë kishte ndodhur,” u shpreh ish-diplomati amerikan.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, ai tregoi edhe problemet që ka patur me zëvendësin e tij, i cili më pas u bë ambasador në Serbi.
“Me zëvendësin tim francez kam pasur problem. Ai koordinohej me Beogradin dhe më pas u bë ambasador i Francës në Beograd. Ai mendonte që unë po tejkaloja rolin tim duke folur hapur, duke ngritur zërin. Ka pasur një incident, kur ai shkoi në Paris dhe foli me një gazetar dhe gazetari raportoi se unë nuk kisha qenë i saktë në deklaratat e mia. Kur u kthye në Prishtinë, më tha që ishte keqinterpretuar nga mediat dhe nuk kishte thënë asgjë që kundërshtonte deklaratat e mia”, tha Walker.
“Nuk e sqarova kurrë plotësisht nëse ishte gazetari që kishte raportuar gabim apo zëvendësi im që kishte bërë deklaratë të tillë, por gjithmonë kam pasur problem me zëvendësim tim sepse ai mendonte se unë isha i njëanshëm, por kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo që thoja unë ishte e bazuar vetëm në atë që pashë: pashë një masakër, një krim lufte”, shtoi Walker. (A2 Televizion)