Ish-zv/shefi i shtabit të UÇK përlotet për luftën e Kosovës: Armatimi erdhi nga Shqipëria, ishte i Enverit

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2026, 21:15 | Aktualitet

Koloneli Dilaver Goxhaj, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i ftuar në studion e emisionit “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, deklaroi mes lotësh se lufta çlirimtare e Kosovës u furnizua me armatim kryesisht nga Shqipëria.

Goxhaj tregoi se në fund të muajit maj, gjatë luftës, ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, kishte kërkuar informacion lidhur me situatën në terren dhe akuzat për gjenocid nga forcat serbe.

“Na kërkoi Clark një informacion andej nga fundi i muajit maj për çështjen e gjenocidit që po bënte Serbia në Kosovë dhe ma ngarkuan mua këtë detyrë ta përgatisja. Ia dërguam. Vetë Clark deklaroi se Shqipëria, në raport me popullsinë, priti refugjatë sikur Gjermania të priste 29 milionë. Kjo tregon që kemi një popull heroik,” u shpreh Goxhaj në Off The Record me Andrea Dangllin.

Ai theksoi se armatimi i UÇK-së erdhi tërësisht nga Shqipëria dhe solli një episod nga fronti i luftës.

“Të gjithë armatimin ne e morëm nga Shqipëria. Në një rast, kur ishim në front, ushtarët kërkuan municion sepse u kishte mbaruar. Erdhi një arkë metalike me fishekë dhe jam befasuar: mbi të shkruhej ‘Për Kosovën’,” rrëfeu koloneli.

Sipas tij, përgatitja për mbështetjen e Kosovës kishte nisur që në periudhën komuniste në Shqipëri.

“Qysh në kohën e periudhës moniste, që e shajnë shumë, është menduar për Kosovën,” tha Goxhaj.

Ai shtoi se shtete të tjera kishin kontribuar me armatime vetëm në këmbim të parave, duke nënvizuar se mbështetja e Shqipërisë kishte qenë vendimtare për UÇK-në.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos