“Erdha i fundit te varri yt, babë!” Thaçi homazhe të atit, më pas “mbyllet” në selinë e EULEX

Nga Rosalba Bejdo
21 Mars 2025, 20:19 | Aktualitet

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori lejen e posaçme për t’u kthyer në vend, pesë ditë pas vdekjes së babait të tij dhe tri ditë pasi iu dha lamtumira e fundit. Nën masa të rrepta sigurie, ai zhvilloi një vizitë në vendin ku prehet Haxhi Thaçi në Burojë të Skënderajt.

“Te varri i yt erdha i fundit, babë”, shkroi ish-presidenti Thaçi, në kurorën të cilën e la të premten, ndërsa dukej qartë trishtimi në sytë e tij. “Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, është mesazhi i ish-presidentit.

Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të vet të martën. Pas homazheve, Thaçi qëndroi për pak orë në shtëpinë e tij ku u takua me nënën dhe bashkëshorten. Më pas ish presidenti u dërgua në selinë e Eulex, ku siç raportohet do të takohet me anëtarë të tjerë të familjes. 

Te hyrja e EULEX u mblodhën edhe disa qytetarët të cilët e kanë pritur me brohoritje. Sipas raportimeve Thaçit i është mundësuar një vizitë dy ditore në Kosovë nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Por kjo vizitë është kushtëzuar me respektimin e masave të rrepta të sigurisë të mbikëqyrura nga misioni EULEX. Lëvizjet e tij do të jenë të kufizuara dhe vetëm të shoqëruara nga forcat ndërkombëtare të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos