Thaçi dy ditë në Kosovë, transportohet në zyrat e EULEX-it, do të takojë familjarët

Nga A2 CNN
21 Mars 2025, 17:51 | Aktualitet

Pesë ditë pasi babai i tij u nda nga jeta, ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me leje të posaçme nga Gjykata Speciale, u kthye në Kosovë.

Thaçi rreth orës 11:00 mbërriti në vendlindjen e tij, në Burojë të Skënderajt, ku për pak minuta qëndroi pranë varrit të të atit, duke kryer homazhe, e po ashtu vendosi një kurorë me lule.

"Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë me dorë, do t’i falënderoj të gjithë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ishin fjalët e Thaçit, shkruar në kurorë si dedikim për babanë.

Më pas, nën masa të rrepta sigurie, Thaçi iu drejtua banesës së tij në Burojë, ku sipas informacioneve është takuar me familjarë të afërt. Gjykata Speciale ka dhënë leje dy ditore për ish-Presidentin e Kosovës dhe ai do të qëndrojë sot në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

Thaçi pas vizitës që i bëri varrit të babait të tij, Haxhi Thaçi dhe ndalesës disa orëshe në shtëpi, ku është takuar me nënën dhe bashkëshorten, është dërguar pikërisht në këto zyra.

Tek hyrja e godinës së EULEX-it, ashtu siç edhe ndodhi në Burojë, autokolona që e transportonte Thaçin u prit nga dhjetëra qytetarë e mbështetës të tij me brohoritje.

Hashim Thaçi në zyrat e EULEX-it do të ketë mundësi për të takuar edhe anëtarë të tjerë nga familja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos