
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë akuzat se ka bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke deklaruar se nuk ka pasur kontakte me Gjykatën Speciale, UNMIK-un apo EULEX-in.
Në një konferencë për media të shtunën, Gërvalla tha se nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me këto institucione, duke mohuar si kontaktet e drejtpërdrejta, ashtu edhe ato të tërthorta.
“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, deklaroi ajo.
Gërvalla mohoi gjithashtu se ka heshtur pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo tha se, në cilësinë e ministres së Drejtësisë, është angazhuar për përgatitjen e hapave ligjorë pas vendimit.
Ministrja kërkoi që të pritet publikimi i plotë i aktgjykimit, duke argumentuar se vetëm atëherë do të mund të bëhet një vlerësim i plotë i fakteve dhe zhvillimeve.
“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vënë vetë në qarkullim”, u shpreh Gërvalla.
(A2 Televizion)