“Jo propozime sa për t’u dukur”, Haxhiu me dy poste për propozimin e PDK: Asnjë kërkesë s’ka ardhur

Nga Xhevahir Qardaku
25 Shtator 2026, 19:25 | Aktualitet

Kryesinë e Kuvendit e mblodhi, ndërsa aktualisht mban dy poste, kryeparlamentare dhe ushtruese e detyrës së presidentit.

Albulena Haxhiu sqaroi se për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nevojiten firmat e të paktën 40 deputetëve, ndërsa tha se nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga PDK, që ka njoftuar iniciativë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

“Janë bërë kritika në drejtimin tim se pse nuk kam thirrur një seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Më lejoni që të sqaroj, nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvendin e Kosovës për një kërkesë, pra kërkesë që ndërlidhet me mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme”, u shpreh Haxhiu.

Ndryshe deklaroi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, që tha se e kanë dorëzuar në kuvend dhe qeveri, propozimin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Parlamenti do të mblidhet të hënën e 28 shtatorit, ku mes tjerash do të miratohet dhe një deklaratë kundër dënimeve ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Zonja Haxhiu u zotua se sot do të flasë me KM Albin Kurti që të përshpejtojë procedurat në Qeveri. Mos të mbajë 30 ditë, siç e parasheh rregullorja, por një ditë, të mblidhen ekspertët, të japin mendimin, të kthehet në Kuvend dhe mundet të hënën ose të martën të votohet ligji, nëse ka vullnet politik”, u shpreh Tahiri.

Kryetarja e Kuvendit, komentoi kështu projektligjin e proceduar nga grupi parlamentar i PDK:

“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po dua me paragjyku nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, por i ftoj të gjitha grupet parlamentare që mos të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur… paraprakisht, të paktën, të konsultohen ekspertët e fushës, e po ashtu ekipet mbrojtëse. Unë nuk mendoj që bëjmë mirë në qoftë se nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore”, tha Haxhiu.

Sa i përket çështjes së presidentit, palët nuk duken afër një marrëveshjeje apo rruge të qartë për zgjidhjen e ngërçit, pavarësisht se afati i fundit është 6 tetori. Nga PDK theksuan se kjo temë nuk është aktuale për momentin, ndërsa Aleanca akuzoi Vetëvendosjen se nuk është serioze në këtë çështje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos