Hapja e urës së Ibrit, Osmani vijon takimet për planin, PDK kërkon maturi nga Kurti

Nga Ideal Gola
20 Gusht 2024, 16:50 | Aktualitet

Hapja e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve vijon të mbetet çështja që po merr vëmendjen në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë së martës takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, për hapjen e urës.

Presidentja Osmani ka ritheksuar në takime se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që Kurti të mos nxitohet me hapjen e urës pa miratimin e aleatëve, pasi sipas tyre, përmes koordinimit Kosova ka arritur suksese shumë më të mëdha se sa hapja e një ure.

“Kjo është një betejë shumë e vogël dhe shumë simbolike të cilën unë jam e bindur, që nëse kryeministri tregohet i matur dhe koordinohet me aleatët do të mund të arrihet shpejtë”, tha nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku.

Për shkak të ndjeshmërisë, nga ana e sigurisë, një dakordim paraprak me vendet e QUINT-it për hapjen e urës është i domosdoshëm për të shmangur tensionet.

“Duhet të ketë një bashkëpunim, një marrëveshje edhe me faktorin ndërkombëtar pasi që ne çështjet e sigurisë, në pjesën veriore, por edhe në pjesë të tjera të kufirit i kryejmë së bashku me KFOR-in dhe faktorin ndërkombëtar atje prandaj duhet një marrëveshje e përbashkët mes institucioneve tona me institucionet ndërkombëtare por ura duhet të hapet patjetër”, tha nënkoloneli në pension i policisë, Refki Morina.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se “nuk do t’i befasojë” aleatët me hapjen e urës por as nuk do ta zvarrisë pafundësisht.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos