Në orët e para të ditës së premte ka mbërritur në Kosovë përmes pikë kalimit kufitar Merdare trupi i pajetë i Faton Hajrizit. Ai u vra më 19 korrik afër Lloznicës në Serbi pasi paraprakisht një ditë më parë ai dyshohet se kishte vrarë një polic serb.
Përmes autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore do të tentohet që të hidhet dritë mbi rrethanat e vdekjes së Faton Hajrizit.
“Mbrëmë rreth orës 1:00 është pranuar trupi i pajetë i cili është i Faton Hajrizt këtë po e deklarojmë pas urdhëresës që është bërë nga prokurori përgjegjës. Është identifikuar nga familjarët e rastit në praninë e mjekut kujdestar. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe rrethanave në konsultim me drejtorin e përgjithshëm kemi formuar një komision tre anëtarësh prej ekspertëve mjekoligjorë që do të kryhet autopsia”, tha Agron Thaçi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Trupi i pajetë i Hajrizit vlerësohet se nuk është ruajtur në kushte të mira nga ana e autoriteteve serbe.
“Trupi ka qenë i mbyllur hermetikisht, është hapur. Prap dje është mbyllur hermetikisht tani prej transporterit. Dje e kam parë trupin, më lejuan, gjendja e tij nuk ka qenë e mirë. Unë vlerësoj që nuk është mbajtur në kushte të mira, por nuk jam ekspert i asaj lëmie”, tha Arianit Koci, avokat i familjes Hajrizi.
Vrasja e policit serb ishte cilësuar nga autoritetet serbe si e qëllimshme dhe e përgatitur nga shteti i Kosovës. Por nga ana tjetër Qeveria e kishte vlerësuar këtë retorikë si propagandë dhe iu ishte kërkuar qytetarëve që Hajrizi të mos bëhet hero.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik kur po kryente dënimin për disa vepra penale për të cilat ishte shpallur fajtor. (A2 Televizion)