Hapja e urës së Ibrit, pak serbë marrin pjesë në debatin e organizuar në veri

Nga Rosalba Bejdo
8 Gusht 2024, 16:00 | Aktualitet

Në debatin e zhvilluar mes përfaqësuesve të qeverisë, atyre komunale dhe qytetarëve në Mitrovicën e Veriut, disa prej pjesëmarrësve shprehën shqetësimet se hapja e urës mbi lumin Ibër mund të rrisë tensionet ndëretnike. Por përfaqësuesit e Qeverisë dhe Policisë ofruan garanci të sigurisë në rast të hapjes së urës për qarkullimin e automjeteve– lëvizje që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare. Ministri Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimittë marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuoi në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri.

“Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen”, tha Elbert Krasniqi Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ofroi garanci për një “siguri shumë të madhe” nëse hapet ura.

Në debatin e organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut kishte një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve serbë dhe e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave. Serbët e pranishëm në këtë debat po ashtu u ankuan për praninë e madhe të Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos