Kurti dhe osmani porosi për kufijtë, ushtria e Kosovës me 344 rekrutë të rinj: Pasardhës të UÇK-së

Nga Xhevahir Qardaku
28 Mars 2025, 20:40 | Aktualitet

344 rekrutë të rinj bën betimin si ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Krerët shtetërorë i konsideruan ata pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u përcjellë dhe amanetin për mbrojtjen e atdheut. Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani tha se ushtria nuk është vetëm një forcë e armatosur, por një përkushtim ndaj sigurisë dhe garanci për paqen.

“Të gjithë sot që u betuat jeni pasardhës të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet më të rënda të historisë sonë, prandaj mbajeni këtë uniformë me krenarinë më të madhe…Me këtë uniformë që vishni sot, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës, ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Osmani.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se diplomimi i rekrutëve po ndodh në muajin e lavdisë kombëtare.

“Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars vjen si një kapitull i ri pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma që do ta bartni nga sot është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe, ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen. Prandaj, kujdesuni fort për të. Ju jeni garancia më e fuqishme që populli i Republikës sonë do të jetojë në paqe, integritetit territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm”, u shpreh Kurti.

Kurti vazhdoi më tej duke konfirmuar angazhimin e qeverisë për të shtuar mbështetjen për ushtrinë e vendit, duke nënvizuar faktin se janë investuar 319 milionë euro për armatime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos