
Një qytet-resort në veri të vendit, një strukturë hotelerie dhe rezidenciale në jug dhe një ndërtim shumëfunksional buzë Liqenit të Tiranës. Kompania “Gener 2” prezantohet me tre projekte të rëndësishme në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, edicioni i 32-të, një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në Shqipëri dhe rajon.
Renato Civili, Drejtor i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Gener 2 Group: Po prezantojmë një projekt të ri, i cili do të jetë buzë Liqenit të Tiranës, me pamje fantastike. Kemi një projekt në Jalë, që do të integrohet me shërbime hotelerie dhe rezidenciale. Po ashtu, kemi edhe një projekt që ndodhet në pjesën veriore të bregdetit të Shqipërisë.”
Veçantia dhe rëndësia e projekteve kanë tërhequr vëmendjen e shumë të pranishmëve.
“Për të tria projektet ka një interes të madh. Kemi besimin se po sjellim projekte me një standard të ri dhe të lartë në tregun shqiptar.”,tha Civili.
Projekti “Baks Bay”, për të cilin punimet kanë nisur tashmë, është ai që zgjon më shumë kureshtje. Ai konsiston në një resort turistik me 33 struktura akomoduese, me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe parkim nëntokësor. Disa godina janë tërësisht rezidenciale, ndërsa të tjera përfshijnë ambiente tregtare në katin përdhes. Apartamentet janë projektuar në stil modern mesdhetar.
“Baks Bay, që nga nisja e punimeve e deri më sot, vijon të zhvillohet me ritme të shpejta ndërtimi. Ky model promovon një stil jetese dhe akses në shërbime me pesë yje. Kjo ndryshon dinamikën e çmimeve, ciklin e të ardhurave dhe ndikimin social e ekonomik në zonën e Velipojës. Baks Bay gjeneron punësim, turizëm dhe ekonomi lokale afatgjatë.”, tha Ledi Hysenj, administratore e “Baks Bay”.
I pozicionuar si qendra e re e turizmit bregdetar gjithëvjetor me pesë yje në pjesën veriore të Shqipërisë, “Baks Bay” lidhet me Tiranën në rreth një orë. Nga Podgorica e Malit të Zi, resorti mund të arrihet në rreth 1 orë e 45 minuta, nga Prishtina në rreth 3 orë e 45 minuta dhe nga Shkupi në rreth 4 orë e gjysmë.
“Pra, nga një zhvillim spontan dhe sezonal drejt një zhvillimi të planifikuar, të kontrolluar dhe me standarde ndërkombëtare. Koncepti ‘Blue Borgo’ parashikon një ekonomi të qëndrueshme dhe turizëm 365 ditë të vitit, dhe jo diçka sezonale.”, Ledi Hysenj, administratore e “Baks Bay”.
Mes Ranës së Hedhun dhe Velipojës, aty ku deti takon malin, në kodrinat e Jalës apo buzë liqenit në Tiranë, Gener 2 po prezanton projekte që synojnë të sjellin standarde të reja në zhvillimin urban dhe turistik të Shqipërisë.
(A2 Televizion)