Marshi në Prishtinë, mbështetje masive për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Nga Ideal Gola
17 Shkurt 2026, 23:38 | Aktualitet

Qindra mijëra qytetarë u mblodhën në sheshet kryesore të Prishtinës në mbështetje për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Nën moton “Drejtësi, jo politikë”, u kërkua drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në marsh morën pjesë qytetarë nga vende të ndryshme, ndërsa e pranishme ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila qëndroi pranë familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së.

Të pranishëm ishin edhe kreu i BDI, Ali Ahmeti, kryetari i PDK, Bedri Hamza, kreu i AAK, Ramush Haradinaj, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe përfaqësues të tjerë politikë.

Përfaqësues të platformës, “Liria ka emër”, si organizatorët e këtij marshi, thanë se kërkesa e tyre është për drejtësi duke kundërshtuar çdo barazim mes agresorit dhe viktimës. 

Mesazhe emocionale pati edhe nga përfaqësues të familjeve të të zhdukurve dhe të mbijetuar të luftës. 

Vasfije Krasniqi Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkoi lirim për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke e lidhur këtë me, siç u shpreh, ndjenjën e padrejtësisë që bashkon qytetarët.

Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se lufta e saj ishte çlirimtare dhe se historia, sipas tyre, nuk duhet të rishkruhet.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur faza e fjalëve përmbyllëse në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me 45 vjet burgim për secilin prej tyre. Por, mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos