Kryeministri Albin Kurti, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në fjalën e tij gjatë këshillit të përgjithshëm të partisë së tij të shtunën në Prishtinë deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk mund të bëhet pa nënshkrimin e marrëveshjeve të vitit 2023.
Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e akuzon qeverinë e tij se dëshirojnë t’i dëbojmë serbët nga Kosova, por sipas tij, serbët janë shumë të sigurtë në Kosovë se në Serbi, raporton A2.
“Nëpërmjet dhunës në veriun e Kosovës ata kanë synuar që të dëshmojnë që shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë, andaj edhe duhet ndarje në Kosovë”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë tha se zhvillimi, demokratizimi, emancipimi, ligji dhe siguria janë e vetmja zgjidhje për bashkëjetesën mes shqiptarëve e serbëve duke thënë se barriera e vetmja mes dy etnive është gjuha.
Duke u ndalur te aksionet për mbylljen e strukturave paralele, Kurti pati edhe një mesazh për ndërkombëtaret të cilët e kanë kundërshtuar duke thënë se ata që ankohen për këto veprime janë duke ankuar se kemi shpallur pavarësinë, shkruan A2.
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i një shteti. Me këtë sundim të ligjit ne nuk e kemi përdor në kurriz të të drejtave për shkak se ligji është i drejtë dhe për shkak se shteti është demokratik”, deklaroi ai.
Kurti pati thirrje edhe për ndërkombëtarët që të sanksionojnë Serbinë dhe personat e organizatat që janë shpallur terroriste në Kosovë për shkak të veprimeve destabilizuese në veri t’i bëjnë pjesë të listës së zezë.
“Perëndimit demokratik, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar ne i bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen benefitet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme nga BE, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar”, nënvizoi shefi i qeverisë së Prishtinës.
Në fund, kryeministri kërkoi që të rikthehet zona tokësore e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte hequr më 2001, për shkak sipas tij të veprimeve kërcënuese të Serbisë.
“Meqenëse brenda dy vjetëve, katër herë Serbia e ka sjellë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë, të cilën NATO-ja e quan ground safe zone në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë”, tha Kurti.
Kurti në adresimin e tij numëroi edhe sukseset e qeverisë së tij në të gjithë sektorët duke thënë se është i bindur në fitore edhe në zgjedhjet e ardhshme. (A2 Televizion)