Mësuesit po ikin nga Kosova, 300 kërkesa për pushime pa pagesë pas heqjes së vizave

Nga Xhevahir Qardaku
9 Janar 2024, 15:47 | Aktualitet

Kosova rrezikon të humbasë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve. Alarmi u dha nga kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës, Rrahman Jashari, që tha se një numër i konsiderueshëm i tyre kanë kërkuar leje njëvjeçare pa pagesë me qëllim largimin nga vendi pas liberalizimit të vizave. Sipas Jasharit, mësimdhënësit të pakënaqur me pagat, po ikin për të parë mundësitë në Evropë.

“Informacionet tona flasin se shumë kolegë, diku 300, i janë drejtuar Drejtorive Komunale për Arsim (DKA) sepse janë punëdhënës të mësimdhënësve tanë, me kërkesat për pushim një vit pa pagesë”.

Jashari u shpreh se ekziston frika që numri i mësimdhënësve që kërkojnë të largohen të rritet edhe më shumë, e kjo duhet të shqetësoje Qeverinë e Kosovës.

“Kam frikën se këta kolegë që kemi në sistem, duke komunikuar me ata jashtë, do të marrin guximin dhe do t’iu bashkëngjiten jashtë, që nënkupton se për një kohë të shkurtër do të ndihet një mungesë e theksuar në kuadrin arsimor në Kosovë dhe alarmin duhet ta ketë edhe Qeveria Kurti”.

Shtetasit kosovarë fituan të drejtën për lëvizje të lirë në zonën Shengen nga 1 janari i këtij viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos