“Qëndresa dhe rezistenca e minatorëve të Trepçës në vitet ’90 ishte momenti kyç për historinë e Kosovës dhe shënoi fillimin e fundit të Jugosllavisë”. Këtë mendim e përmendi albanologia Anna Di Lellio, gjatë një ligjërate të mbajtur në Prishtinë. Duke folur në Institutin e Albanologjisë, ajo prezantoi librin me titull “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, me rrëfimet e minatorëve.
“Trepça ka qenë fillimi i fundit të Jugosllavisë sepse në Trepçë ka pasur një mundësi për ta ruajtur këtë vend për ta reformuar me liri dhe pavarësi për secilën Republikë, por pa luftë, dhe nuk ka ndodhur për shkak se Millosheviçi fitoi, e theu grevën dhe pastaj vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Më pas Sllovenia dhe Kroacia kanë thënë se ne duhet të largohemi sepse kanë thënë se nëse këtë po e bënë në Kosovë do të na e bëjnë edhe neve. Pra, qëndresa dhe rezistenca e minatorëve është shumë e rëndësishme sepse ishte momenti kyç i historisë së Kosovës. Në këtë libër janë njerëzit që flasin dhe na tregojnë historitë e arrestimeve, grevës, represionit, përjashtimit nga puna....Greva dështoi sepse ishte goditja më e fortë ndaj Jugosllavisë dhe kjo është ajo pjesa kryesore e librit”, shprehet Anna Di Lellio, albanologe.
Profesoresha e sociologjisë shtoi më tej se çmimi i Kosovës për ta fituar pavarësinë ka qenë shumë i lartë.
“Pas Prekazit lufta ka filluar dhe kanë qenë shumë mijëra njerëz që janë vrarë, 1 mijë që janë të zhdukur, qindra e mijëra burra e gra seksualisht të përdhunuar, çmimi që Kosova është dashur ta paguajë për pavarësinë ka qenë shumë i lartë. Do të mund të kishte qenë ndryshe nëse lidershipi jugosllav do ta kishte ndryshuar Jugosllavinë e atëhershme”.
Di Lellio që librat e saj i ka shkruar mbi bazën e historive verbale, ka treguar për librin e saj të parë që kishte shkruar rreth Betejës së Kosovës. Ajo tha se u zbulua se Millosh Kopiç ishte shqiptar dhe jo serb.
(A2 Televizion)