
Kryeministrit Edi Rama ju nevojiten më shumë se 24 orë për të mbajtur një qëndrim për pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Në krah të eurokomisioneres Marta Kos, shefi i qeverisë shqiptare e cilësoi vendimin e drejtësisë si shkelje të vijës së kuqe që ndan pavarësinë e ekzekutivit dhe gjyqësorit.
“Rast unikal në botë… nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës. Nuk bën vaki në BE që kryebashkiakët të dërgohen në burg pa gjyq dhe të mbahen për muaj të tërë në paraburgim. Nuk bën vaki në BE që një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të burgosur me gjyq. Nuk mund të hyhet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur dhe kjo vlen edhe për pushtetin ekzekutiv, edhe atë legjislativ”, tha Rama.
Të ardhmen e njeriut që për shumë vite ka qenë krahu i tij i djathtë, ia ka lënë në dorë Gjykatës Kushtetuese, të cilës i kërkon të shprehet nëse pezullimi i një anëtari të kabinetit qeveritar, është cenim i kompetencave të tij si Kryeministër
“Pezullimi është vendim i një gjykate, që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë qëndrimin e saj bazuar në Kushtetutë”, shtoi kryeministri.
E pyetur nga gazetarët, zyrtarja e Brukselit Marta Kos nuk e komentoi me emër të përveçëm, por sipas saj pavarësisht “mëkatëve të mundshme” të proceseve gjyqësore, e rëndësishme është që të respektohen Vendimet e drejtësisë.
Sistemi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit është një kusht themelor për Shqipërinë në rrugën drejt BE. Në dijeni të kësaj Edi Rama nuk harron të thotë se ky pushtet do të vijojë të mbështetet nga AI.
Me të përfunduar konferenca e Edi Ramës dhe Marta KOS, Këshilli i Ministrave ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës. (A2 Televizion)
