
Ditën e sotme, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin të lira e të ndershme.
Pas kësaj deklarate, nuk ka munguar reagimi i nënkryetarit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i cili e ka cilësuar deklaratën e Kos si të pavërtetë dhe që sipas tij përbën një shtrembërim të papranueshëm të Raportit Përfundimtar të ODIHR.
Ai tha se me deklaratat e saj, Kos po rrezikon edhe vetë besueshmërinë e institucioneve europiane në sytë e qytetarëve shqiptarë, shkruan A2 CNN.
Sipas Bylykbashit, ODIHR ka qenë i qartë dhe i prerë se zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira, as të ndershme.
Prandaj sipas tij, çdo deklaratë që përpiqet ta zbukurojë apo ta hollojë këtë të vërtetë, duhet çuar menjëherë në vend.
Reagimi i deputetit te PD, Oerd Bhlykbashi:
Komisionerja e Zgjerimit zj. Marta Kos deklaroi se zgjedhjet e 11 majit 2025 “kanë qenë të lira e të ndershme”. Çfarë është më e rëndë është që ajo e dha si konkluzion të saj në emër të BE, jo si citim të ODIHR.
ODIHR në Raportin Përfundimtar ka deklaruar që në fjalinë e parë që “konkurentët nuk patën fushë loje të barabartë”.
Brenda paragrafit të parë, ODIHR thotë se “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi gjerësisht i burimeve administrative gjatë fushatës , duke krijuar avantazh të padrejtë për shkak të qenies në pushtet”.
Në asnjë rresht të raportit final, për asnjë moment, ODIHR nuk thotë që zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, siç thotë zj, Kos.
Ajo që ODIHR tha prerazi ësjtë se është prishur ndarja mes shtetit dhe partisë në pushtet. Kjo është shkelje e një parimi themelor, që sjell një fushë loje të pabarabarta, pra zgjedhje janë të pandershme.
Zgjedhësit patën presion, thotë ODIHR. Pra zgjedhjet nuk ishin as të lira.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian në kuadër të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, eurodeputeti Gahler, nënvizoi qartë se krimi i organizuar pengoi rotacionin politik.
Sa kohë nuk ka një raport tjetër dhe Komisioni Europian nuk kishte misionin e vet të vëzhgimit, pyetja ime është: E ka lexuar raportin e ODIHR dhe nese po, ku e lexoi Komisionerja e Zgjerimit, zj. Kos shprehjen se “zgjedhjet ishin të lira e të ndershme”?!
Zj. Kos, si Komisionere Zgjerimi nuk ka kompetencë të zgjerojë dhe as të tresë Raportin Përfundimtar të ODIHR. Duhet patjetër ta tërheqë menjëherë atë deklaratë. Herë tjetër mjafton vetëm të citojë raportin e ODIHR. (A2 Televizion)
