Rrymat euroatlantike ftohin marrëdhëniet midis Moskës dhe Podgoricës

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 16:21 | Ballkani

Rrymat euroatlantike ftohin marrëdhëniet midis Moskës dhe

Parlamenti i Malit të Zi po përpiqet ta shfaqë “Rusinë si vend të djallëzuar” me “veprimet e veta antiruse”, ndërsa drejtuesit politikë malazezë po i rrisin tensionet dhe po e forcojnë statusin e “shtetit armik ndaj Moskës”, tha ambasadori rus në Podgoricë, Aleksandr Lukashik.

Këto akuza, të ngjashme në ashpërsi me retorikën e kohës së ftohjes së marrëdhënieve mes Podgoricës dhe Moskës para dhjetë vjetësh, u bënë më 14 nëntor.

Në të dyja rastet emëruesi i përbashkët është NATO-ja.

Reagimi i fundit i Moskës zyrtare erdhi pasi Parlamenti malazez dha dritën jeshile për dërgimin e ushtarëve malazezë në një mision të NATO-s për ta ndihmuar Ukrainën, e cila po lufton kundër pushtimit nga Rusia nga viti 2022.

Edhe para një dekade, kur Mali i Zi po përgatitej të hynte në NATO, Rusia reagoi ashpër, gjë që çoi në një ndërprerje pothuajse të plotë të marrëdhënieve.

Mali i Zi hyri në NATO në vitin 2017, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, e cila u rrëzua nga pushteti në zgjedhjet e vitit 2020.

Pas rrëzimit të saj, marrëdhëniet mes Moskës dhe Podgoricës u përmirësuan.

Në pushtet erdhi një koalicion partish të udhëhequr nga Fronti Demokratik, liderët e të cilit, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, ishin mbështetës të hapur të presidentit rus, Vladimir Putin.

Mandiqi u zgjodh kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Knezheviqi është deputet, ndërsa njerëzit e tyre mbajnë poste ministrore në Qeveri.

Përveç tyre, në Qeveri mbizotërojnë partia me orientim evropian e kryeministrit Millojko Spajiq, si dhe partitë shqiptare e boshnjake që ndajnë të njëjtin kurs, si edhe demokratët proserbë.

Si erdhi tek ndryshimi i marrëdhënieve, cilat janë interesat e Rusisë dhe sa rezistente është Qeveria ideologjikisht e larmishme ndaj ndikimeve të Moskës?

Deputetët e Mandiqit dhe misioni i NATO-s
Parlamenti, në pesë muajt e fundit, ka marrë dy vendime për dërgimin e ushtarëve malazezë në misione ndihme dhe trajnimi në mbështetje të Ukrainës, në kuadër të forcave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Të dyja vendimet, që nga hyrja në procedurë parlamentare, kanë pritur nga nëntë muaj për miratim.

Opozita aso kohe akuzonte Mandiqin, kundërshtar i NATO-s dhe mbështetës i Putinit, se po i bllokonte ato nga posti i kreut të Parlamentit.

Në votimin final, nga 44 deputetë që votuan pro dërgimit të ushtarëve në misionin e NATO-s, katër ishin nga partia e Mandiqit, duke siguruar shumicën në Parlamentin prej 81 deputetësh.

Deputetët e partisë së Millan Knezheviqit votuan kundër.

Për analistin politik dhe profesorin e Fakultetit të Shkencave Politike, Zllatko Vujoviq, votimi i partisë së Mandiqit është “disi befasi”.

“Kjo është përpjekja e Mandiqit për t’i dërguar sinjale Perëndimit se ai mund të jetë pjesë e zgjidhjes së tyre pas vitit 2027. Por, njëkohësisht ai u komunikon diplomatëve rusë se ky është një veprim thjesht taktik, duke imituar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili një gjë ua thotë rusëve, e më pas ndërmerr një hap properëndimor për t’u paraqitur si politikan properëndimor”, shpjegon ai.

“Në çdo rast, unë nuk shoh asgjë dramatike që ka ndodhur në linjën e partive proserbe e prorusë me Moskën zyrtare”, thotë Vujoviq.

A i pengon Rusisë vetëm NATO-ja apo edhe BE-ja?
Ambasadori rus Aleksandr Lukashik, në reagimin e 14 nëntorit, përveç NATO-s, u ndal edhe te përparimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian.

“Mali i Zi, duke dëshmuar besnikëri ndaj tutorëve të huaj, do të tregojë sërish përkushtim ndaj solidaritet famëkeq të NATO-s dhe do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk besojmë se një politikë kaq shkurtpamese është në interes të qytetarëve malazezë”, tha Lukashik.

Se Mali i Zi është përfshirë në “luftë hibride” kundër Rusisë, Lukashik e deklaroi edhe në fillim të nëntorit, duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit Jakov Millatoviq se “anëtarësimi i Malit të Zi në BE është strategjia më e mirë për të luftuar ndikimin e vendeve të treta, përfshirë Rusinë”.

Ministria e Jashtme malazeze e cilësoi veprimin e ambasadorit rus si absolutisht të papranueshëm dhe përzierje në punët e brendshme të Malit të Zi.

Lukashikut iu tha në takim se “mesazhe të ngjashme do të trajtohen si veprime të qëllimshme armiqësore”.

“Gjatë zhvillimit të politikës së jashtme, Mali i Zi nuk vepron sipas udhëzimeve të askujt, por ndjek prioritetet strategjike – anëtarësimin në NATO dhe hyrjen në BE”, njoftoi Ministria.

Që Moskës zyrtare i pengon rruga evropiane e vendeve të rajonit, e pati thënë më shumë se një vit e gjysmë më parë paraardhësi i Lukashikut, Vlladisllav Maslenikov.

“Ne nuk ishim kundër valëve të mëparshme të zgjerimit. Tani BE-ja është ndryshe, është shndërruar në favor të NATO-s, ndjek linjë agresive antiruse... Prandaj, zgjerimi i BE-së në Ballkan do të thotë përfshirja e vendeve të rajonit në konfrontim me Rusinë”, tha Maslenikov për gazetën ruse Izvestija.

Deri atëherë, Rusia e konsideronte kërcënim vetëm zgjerimin e NATO-s.

Kundër NATO-s janë edhe pjesëtarë të Qeverisë malazeze, kryesisht partitë e Andrija Mandiqit dhe Millan Knezheviqit, ndërsa të gjithë deklarativisht mbështesin hyrjen në BE.

I pyetur nëse mund të ketë ndryshime në agjendën e tyre politike për shkak të afrimit të shpejtë drejt BE-së, Vujoviq thotë se “pavarësisht orientimit të tyre ideologjikidentitar, motivimi i tyre dominues vjen nga marrëdhëniet klienteliste”.

“Sigurisht që Mandiqi, së bashku me Knezheviqin e të tjerë, do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga Moska zyrtare nëse kjo do t’i garantonte pushtet afatgjatë”, thotë ai.

Ai thekson edhe një problem tjetër – elektoratin e tyre, të radikalizuar prej vitesh. “Është çështje se si do të reflektohej kjo në rezultatet e ardhshme zgjedhore”.

Mali i Zi në trekëndësh me Serbinë dhe Rusinë
Mali i Zi është me rëndësi gjeostrategjike për Moskën për shkak të daljes në det, që Rusisë i nevojitet për anijet e saj, pas humbjes së bazave në Mesdhe, thotë Vujoviq.

“Është e rëndësishme të thuhet kjo lidhet me Serbinë. Serbia nuk mund të jetë aleat efektiv i Rusisë nëse Mali i Zi nuk është nën kontrollin e saj. Këtu përplasen interesat e Moskës dhe Beogradit në mënyrë që Serbisë t’i mundësohet dalje në det, ndërsa Rusisë qasje në Serbi”, shpjegon ai.

Por, edhe këtu ngrihet çështja e ndikimit të Serbisë ndaj një pjese të Qeverisë malazeze.

Mandiqi dhe Knezheviqi prej vitesh kanë marrëdhënie të afërta politike me Vuçiqin.

Mandiqi ishte pranë Vuçiqit në shtabin elektoral gjatë festimit të fitores së fundit zgjedhore.

Vuçiqi e dekoroi në vitin 2021 me Urdhrin e Flamurit Serb të Klasit të Parë.

Knezheviqit, në një tubim të partisë së Vuçiqit në Beograd dy vjet më parë, deklaroi se e do Serbinë “sepse lufton për popullin serb në Kosovë dhe sepse kurrë nuk do të nisë luftë kundër Rusisë vëllazërore e aleate”.

Vujoviq vlerëson se ata janë peng të marrëdhënies me Vuçiqin.

“Marrëdhënia me Vuçiqin nuk është partneritet, por subordinim, ku ata varen shumë prej tij. Edhe sikur të dëshironin të largoheshin nga Beogradi zyrtar dhe Moska, kjo nuk është e mundur, sepse ndikimi, sidomos i Beogradit, te elektorati i tyre është i jashtëzakonshëm”.

Ai shton se ata kanë filluar të përdorin resurse vendase dhe të forcojnë infrastrukturën politike, por ende nuk janë aq të fuqishëm “sa të ndërmarrin një hap të tillë, veçanërisht pasi depërtimi i mediave serbe dhe ndikimi i tyre është i madh, sidomos te votuesit e tyre”. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos