Qeveria e Kosovës i është përgjigjur me të njëjtin ton kritikave të Bashkimit Europian për operacionin e së hënës në veri. Zëdhënësi Përparim Kryeziu, përmes rrjetit social X, thotë se deklarata nga Brukseli solli një pasqyrim të rremë për atë se si është parashikuar të jetë ndonjëherë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Zëdhënësi i kryeministrit Albin Kurti nënvizon se sigurisht nuk është parashikuar që të jetë një umbrellë për legalizimin e strukturave të paligjshme dhe të krijuara në mënyrë të njëanshme.
“Për fat të keq deklarata miraton destruktivitetin e Serbisë përgjatë dialogut, veçanërisht në takimet e fundit në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore për operacionet me para të gatshme në Kosovë, të cilat kanë dështuar pikërisht nga qëndrimi i Serbisë, që shkon kundër vetë propozimit të BE-së.”
Zëdhënësi i qeverisë kërkon nga Bashkimi Europian që mos ta konsiderojë zbatimin e sundimit të ligjit si një sjellje që shton tensionet.
“Është vërtetë ironike për Bashkimin Europian të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet ‘Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”
Përmes një deklarate të zëdhënësit Peter Stano, BE-ja kritikoi operacionin e policisë së solli mbylljen e 6 filialeve ilegale të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë, duke e konsideruar një veprim që minon zbatimin e marrëveshjes së normalizimit.
Gjithashtu Stano nënvizoi se statusi i të gjitha strukturave serbe dhe shërbimeve duhet të zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga Brukseli, konkretisht me formimin e asociacionit. (A2 Televizion)