Qeveria “sundon” Kuvendin? Ferit Hoxha në A2 CNN për '2027', PD-në, Greqinë, Kosovën dhe Serbinë

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 17:59 | Politikë

"Nuk do ta thoja, pra, as si triumfalizëm, as si fatalizëm."

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, foli për arritjen e një progresi të matshëm të BE-së në Shqipëri, por theksoi edhe sfidat reale për vendin.

“Shqipëria ka bërë një progres të njëmendtë, real dhe të matshëm. Por raporti është po aq i qartë edhe për punën që mbetet.”

Mbyllja e negociatave në vitin 2027 mbetet një objektiv ambicioz, por i realizueshëm, edhe sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian. Por Hoxha tregon edhe se përse suksesi nuk është automatik.

“Qeveria është padyshim në vijën e parë, ka përgjegjësinë për të avancuar, ka detyrën për të bërë, për të përmbushur angazhimet, ka detyrën për t'i çuar reformat, ka detyrën për t'i bërë ato të njohura, ka detyrën për t'i bërë sa më të qarta, sa më të prekshme për qytetarët.”

A2 CNN e pyeti edhe se sa bëhet pengesë në këtë objektiv një Parlament ku qeveria vendos, ku opozita nuk ngre dot komisione hetimore dhe ku mazhoranca nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe të zgjedhurit e tjerë, edhe partitë e tjera politike, të cilat e duan anëtarësimin e Shqipërisë, kanë përgjegjësinë të ushtrojnë sa më mirë funksionin e tyre demokratik. [...] Askush nuk duhet as ta pengojë, as ta marrë peng procesin evropian.”

Në ekuacionin për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027 është edhe Greqia, e cila do të ketë atëherë presidencën e radhës. Ndërkohë, mes dy vendeve tona ende janë të hapura çështjet e vjetra, mes të cilave edhe kufiri detar.

“Nuk do të doja të vendosja artificialisht data për çështje kaq komplekse. Qëllimi ynë është t'i mbyllim sa më shpejt dhe t'i mbyllim ato në mënyrë të suksesshmeDhe nëse Greqia nuk do të ishte e kënaqur me ritmin e reformave, përparimi ynë nuk do të ishte bërë.”

Po Franca, vendi kryesor i BE-së, që pas pak muajsh do të jetë në zgjedhje, a mund të bëhet pengesë për Shqipërinë?

“Strategjia jonë, detyra jonë, angazhimi ynë është që t'i bëjmë detyrat sa më mirë, që kostoja politike për të na thënë jo të bëhet më e madhe, për këdo që do të jetë, për këdo që do të marrë mandatin në Francë apo kudo tjetër, sesa për të na thënë jo.”

Në çdo rast, Shqipëria pret nga Bashkimi Evropian t'i qëndrojë vlerësimit individual të vendeve të rajonit, duke shmangur tezën e anëtarësimit në bllok.

“Nuk besoj se duhet të presim vagonin më të ngadaltë. Suksesi i fqinjit duhet të jetë edhe suksesi ynë, por ne nuk duhet të pengohemi nga ritmi i të tjerëve.”

Për Kosovën, ministri i Jashtëm shqiptar beson se pengesë për mosavancimin drejt BE-së ishte kriza politike, tashmë e kapërcyer.

“Prandaj Kosova duhet të marrë statusin e kandidatit, të bëjë detyrat e shtëpisë, në thonjëza, siç e kemi bërë të tërë, dhe të vërtetojë që është po aq e gatshme, po aq e aftë për të qenë një partner i besueshëm.”

Sa për Serbinë, Ferit Hoxha ka një mesazh për qeverinë që erdhi përmes protestave studentore.

“Ne me Serbinë kemi një dëshirë të sinqertë për të bashkëpunuar ku është e mundur, por kemi edhe vendosmërinë për t'ia thënë njëri-tjetrit në sy gjithçka për të cilat ne nuk biem dakord. ”

Shpresa e Shqipërisë është jo vetëm një orientim i qartë i Serbisë drejt Perëndimit, por edhe njohja e shtetit të Kosovës.

“ sepse ky do të jetë investimi më i mirë edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, edhe për rajonin.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos