
Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit ka akuzuar homologun e tij në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se po u shërben interesave të Uashingtonit.
Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, “praktikisht është shndërruar në një agjent dhe ndjekës të bindur të armikut tonë dhe u siguron atyre informacione”, deklaroi shefi bërthamor i Iranit, Mohammad Eslami, në një prononcim të raportuar nga transmetuesi shtetëror IRIB.
“Këto veprime përbëjnë abuzim me autoritetin e institucioneve ndërkombëtare, vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tyre dhe nxjerrin në pah dobësinë serioze të Kartës së OKB-së dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, shtoi ai.
Në shtator, Eslamit iu ndalua pjesëmarrja në konferencën e përgjithshme vjetore të IAEA-s, e mbajtur në selinë e saj në Vjenë. Teherani akuzoi SHBA-në se kishte ushtruar presion ndaj Austrisë për të marrë këtë vendim.
IAEA ka kërkuar me urgjencë gjithnjë e më të madhe akses në objektet bërthamore të Iranit, ndërsa Teherani këmbëngul se hyrja në impiantet e sulmuara nga SHBA-ja dhe Izraeli duhet t'i nënshtrohet “marrëveshjeve të posaçme”.
(A2 Televizion)