Nga fronti i luftës, në majat e institucioneve të Kosovës, e më pas në qelitë e Hagës. Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë tre prej figurave që mishërojnë një pjesë të historisë së UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës.
"Gjyqi i nisur në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një gjyq kundër UÇK-së, por kundër individëve që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit." Kjo ishte deklarata të cilën ushtruesi i detyrës së Prokurorit Special e nënvizoi në mënyrë të veçantë në nisjen e gjyqit në Gjykatën Speciale të Hagës më shumë se pesë vite më pare, kur filloi procesi kundër katër ish-krerëve të UÇK.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit. Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, ndalim, vrasje, zhdukje personash etj. Një rol të rëndësishëm përveç, Hashim Thaçit, patën, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Secili prej tyre ka pasur një pozitë të vendimtare për fitoren e UÇK, çka tregohet edhe në të kaluarën e tyre.
Kadri Veseli, i njohur gjatë luftës me pseudonimin "Luli", ishte ndër bashkëthemeluesit e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë konfliktit të armatosur, ai udhëhoqi Shërbimin e Zbulim-Kundërzbulimit, të njohur si G-2 - një strukturë kyçe përgjegjëse për informacionet strategjike, sigurinë e brendshme dhe organizimin logjistik e operativ.
Pas vitit 1999, Veseli vazhdoi drejtimin e Shërbimit Informativ të Kosovës deri në shpërbërjen e tij në vitin 2008. Më pas i hyri zyrtarisht politikës duke iu bashkuar PDK-së, parti të cilën e mori në drejtim pas zgjedhjes së Hashim Thaçit si President. Veseli ka shërbyer gjithashtu si Kryetar i Kuvendit të Kosovës për dy mandate, nga viti 2014 deri në vitin 2019.
Aktiviteti i tij politik u ndërpre në nëntor të vitit 2020, kur pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Gjatë viteve të luftës 1998–1999, Jakup Krasniqi shërbeu si zëdhënës zyrtar i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Përmes daljeve publike, komunikatave dhe intervistave për mediat e huaja, ai u bë zëri dhe fytyra më e njohur e rezistencës, duke informuar opinionin vendas dhe ndërkombëtar për veprimet e ushtrisë. Pas çlirimit, Krasniqi mbajti poste administrative si Ministër i Rindërtimit dhe më pas Ministër i Shërbimeve Publike në Qeverinë e Përkohshme.
Për tetë vite me radhë, nga viti 2007 deri në 2014, ai drejtoi Kuvendin e Kosovës për dy mandate rresht. Më vonë u shkëput nga PDK-ja për të bashkëthemeluar Nismën Socialdemokrate, ku mori postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar.
Më 4 nëntor 2020, Krasniqi u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u dërgua në Hagë, ku vazhdon të përballet me procesin gjyqësor. I njohur me pseudonimin "Dhjetëshi", Rexhep Selimi i përket bërthamës më të parë themeluese të UÇK-së që nga fillimi i viteve '90. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe Inspektor i Përgjithshëm i ushtrisë, ai luajti një rol të drejtpërdrejtë operativ në terren, duke koordinuar zonat operative dhe organizimin e furnizimit me armatim.
Në periudhën e menjëhershme pasluftës, Selimi shërbeu si Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme. Më vonë i hyri jetës parlamentare duke iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. AI u zgjodh deputet për disa legjislatura dhe ushtroi funksionin e shefit të grupit parlamentar të kësaj partie. Njëlloj si bashkëluftëtarët e tij, Selimi udhëtoi drejt Hagës në nëntor të vitit 2020 pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara, ku po mbron rrugëtimin e tij dhe të UÇK-së.
(A2 Televizion)