Pas tensioneve para selisë së EULEX-it në Prishtinë, një grup protestuesish me maska është zhvendosur drejt godinës së Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në një lidhje me Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN, gazetarja Eleonora Kolukaj raportoi se disa protestues kanë hedhur gurë drejt godinës së EULEX dhe kryeministrisë, ndërsa para godinës është vendosur një kordon i njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Sipas gazetares së A2 CNN protesta u zhvillua spontanisht pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale, ndërsa rrugët kryesore pranë qendrës së Prishtinës u bllokuan për shkak të numrit të madh të protestuesve dhe automjeteve.

“Gjithçka është kaotike. Rruga është e bllokuar totalisht deri te sheshi Bill Clinton. Në hyrje të rrugës është policia e Kosovës. Makinat janë të bllokuara. Gjysma e protestuesve janë në rrugë. Gjysma kanë filluar që të shkojë në këmbë, mirëpo ne me makinë e kemi të pamundur që të kalojmë. Pamjet e drejtpërdrejta që vijnë nga Prishtina tregojnë një kaos të vërtetë në trafik. Qytetarët kanë mbërritur tek godina e kryeministrisë për të shprehur revoltën e tyre për vendimin që u dha sot në Hagë”, raportoi ajo.
Më herët kryeministri Albin Kurti deklaroi se mbështet katër ish-drejtuesit e UÇK-së dhe theksoi rëndësinë e procesit të apelimit, duke vlerësuar rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)