Ashtu si 26 vite më parë, u mblodhën sërish në të njëjtin vend, por këtë herë në paqe. Ish-anëtarë të UÇK nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia, familjarë dhe qytetarë përkujtuan betejën e Pashtrikut, ose Operacionin “Shigjeta”, duke treguar edhe domethënien e madhe që ka kjo ngjarje e shënuar, shkruan A2.
Binak Gashi, ish-komandant i UÇK, u shpreh: “Kryebetejën e UÇK-së, projektin më të madh kombëtar që ka ndodhur në historinë e shqiptarëve është projekti i UÇK-së. Sot shënojmë ditën e fillimit të operacionit “Shigjeta”, kryebetejën e UÇK-së që ka filluar më 26 maj 1999 dhe ka zgjatur deri më 10 qershor 1999, ka qenë një ndër operacionet më të suksesshme të UÇK-së. Ka bashkëpunuar me forcat e NATO-s, forcat e NATO-s kanë qenë nga ajri, kurse pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë nga toka dhe bashkërisht e kemi kryer ashtu siç është më së miri. Humbjet tona kanë qenë shumë minimale, kurse nga ana e armikut kanë qenë shumë të mëdha”.
Muhamer Ibrahimi, ish-luftëtar i UÇK, theksoi: “Është veshja e veteranëve, është solemne dhe në këtë ditë edhe të dëshmorëve dhe të operacionit, ne kemi vendosur si shokë t’i veshim këto, emocionin e kemi pak a shumë të njëjtë sikurse kur e kemi vesh uniformën e UÇK-së herën e parë... Tash secilën ditë e shoh rëndësinë dhe madhështinë e atij operacioni dhe efektin që e ka pasur... E di që ka qenë një prej operacioneve që ia kemi dhënë grushtin e fundit ushtrisë serbe”.
Fexhri Asipi, ish-luftëtar i UÇK nga Tetova, thotë: “Kam qenë pjesë e operacionit ‘Shigjeta’ dhe nëse i dëgjon dikush lajmet apo programet serbe, operacioni ‘Shigjeta’ ka qenë helm për armikun. Operacioni ka qenë shtrirje e gjatë nga Prizreni deri në Gjakovë ka qenë pjesë e madhe ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me një distancë shumë të gjatë”.
Në këtë event u ndanë dhe mirënjohje për bashkëluftëtarë dhe përfaqësues nga shoqata “Tigrat” nga Kroacia, të cilët po ashtu ndanë mirënjohje për përfaqësuesit e Shoqatës së Operacionit “Shigjeta”.
Operacioni “Shigjeta” u zhvillua nga 26 maj 1999 deri më 10 qershor 1999. Në atë operacion thuhet se ishin të angazhuar 8 mijë forca të UÇK-së. (A2 Televizion)