OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk miratohen propozimet e PDK për Gjykatën Speciale

Nga Leonora Kolukaj
29 Shtator 2026, 13:33 | Aktualitet

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk miratohen propozimet e

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së gjatë ditës së sotme ka mbajtur konferencë për media. Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë protesta, nëse nuk procedohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Dje, 99 deputetët e Kuvendit të Kosovës, me votën e tyre, u bashkuan në mbrojtje të luftës së UÇK-së, në mbështetje me mjetet juridike, politike, institucionale dhe financiare që ka në dispozicion shteti, të katër ish-udhëheqësve të saj në Hagë.

Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre. E dëshmuan vullnetin politik me votë. Qeveria duhet ta procedojë sa më parë Projektligjin, në mënyrë që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të zvarritet”, tha ia, përcjell A2 CNN.

Syla ka bërë të ditur se OVL-UÇK-ja ka përfunduar përgatitjet për marshin e 1 tetorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke u bërë thirrje veteranëve të luftës dhe qytetarëve që t’i bashkohen këtij organizimi.

“Çështja e dytë për të cilën ju kemi thirrur sot është se OVL-UÇK, së bashku me të gjitha kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, i ka bërë të gjitha përgatitjet për marshin e 1 Tetorit, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në orën 16:00.

Nga këtu, u bëjmë sërish thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe të gjithë qytetarëve që ndjejnë se kjo padrejtësi ka cenuar luftën tonë të drejtë dhe shtetësinë e Kosovës, që më 1 Tetor, në orën 16:00, të jenë në sheshin Skënderbeu”, shtoi ai.

Gjithashtu u paralajmërua se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe ndryshimet ligjore nuk procedohen, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të ndërmarrin hapa të tjerë.

“Dhe e kuptojmë që, në qoftë se nuk do të merren parasysh edhe kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për t’i futur këto ndryshime në ligj, e kuptojmë që është qëllim i keq dhe, sigurisht, ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po kemi me dalë në rrugë.

Po do t’i japim mundësi të gjithë atyre në institucionet tona që me u shpreh deri para asaj date, por, sido që të jetë, në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne, veteranët e kategoritë e dala nga lufta, nuk do të rrimë duarkryq dhe kemi me i marrë hapa të tjerë, për të cilët do t’ju bëjmë të ditur”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos