Partneriteti SHBA-Kosovë, Hovenier: Sfidat me Kurtin kanë ndikuar në partneritetin tonë

Nga Erjon Dervishi
21 Gusht 2024, 16:17 | Aktualitet

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA po përballet me disa sfida me Qeverinë e tanishme të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit midis dy shteteve. Deklaratën e tij Ambasdori i Amerikës në Prishtinë e bëri pas takimi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

"Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet i hekurtë. Siç tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët gjatë këtij muaji, Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës, po e citoj, ‘do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë'”, tha Jeffrey Hovenier.

Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “secila nismë dhe sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse ka po ashtu gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. 

Kreu i shtetit theksoi se krahas përkrahjes financiare populli amerikan ndër vite ka treguar partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjellë, besim në një Kosovë që në qendër të vëmendjes ka popullin e saj.

Pas alarmit të lëshuar nga Ambasadori Hovenier, lidhur me raportet e dëmtuara me  qeverinë Kurti, Osmani nuk bëri asnjë koment se si duhet vepruar në këto rrethana. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos