Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë lidhur me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë për “bashkimin” e forcave ushtarake.
Sipas MPJD, kjo deklaratë përveçse agresive dhe kërcënuese, përfaqëson edhe një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, që Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar të nënshkruajë.
Sipas qeverisë së Kosovës, Serbia vazhdon të minojë angazhimet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të njohë institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës.
“Retorika serbe përmban tone hegjemoniste dhe përpiqet ta paraqesë veten si forcë dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria, dy vende sovrane anëtare të NATO-s.”
MPJD thekson se pretendimi i Serbisë si "garantuese e paqes" është absurd, duke marrë parasysh rolin e saj destabilizues në rajon.
“Serbia ka qenë e përshirë drejtpërdrejt në luftërat e viteve 1990, të cilat rezultuan në gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë. Përveç kërcënimeve të vazhdueshme, Serbia vazhdon të grumbullojë forca ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe të mbështesë rrjete kriminale në veri të vendit”, thuhet në deklaratë.
Për më tepër, MPJD thekson hipokrizinë e pretendimit të Serbisë për neutralitet, duke pasur parasysh lidhjet e saj të ngushta me regjime autoritare si Rusia dhe Irani. Republika e Kosovës bën thirrje që Serbia të respektojë marrëveshjet e pranuara, të heqë dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe të njohë sovranitetin e Kosovës.
Kosova gjithashtu kërkon hapjen e arkivave serbe për krimet e luftës, veçanërisht të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila kreu masakra në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
“Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe dhe pajtim të vërtetë në rajon. Kosova do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj në bashkëpunim me aleatët e saj, duke mos u ndikuar nga kërcënimet e Serbisë”, nënvizohet më tej. (A2 Televizion)