VIDEO/ Zbarkojnë në Kosovë trupat britanike

Nga A2 CNN
18 Shtator 2024, 22:24 | Aktualitet

Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në Kosovë me një avion që ka ateruar në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës.

Kontingjenti britanik, nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit do të dislokohet në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës KFOR i cilëson si ushtrime rutinore.

Këto ushtrime do të mbahen nga 18 shtatori deri në fund të tetorit, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një deklarate, pa dhënë hollësi se në ç’ vend do të zhvillohen ato.

Forcat britanike do të kryejnë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, gjatë dislokimit të përkohshëm të tyre, shkruan A2.

 

KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit".

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos