Zgjedhjet në Veri, procesi mes zbatimit të ligjit dhe dëshirës urgjente të Vuçiç

Nga Tomorr Avdia
22 Janar 2024, 18:16 | Aktualitet

Mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në Veri, ka përfunduar. Këtë e ka konfirmuar Sanja Kërtiniç, nga grupi iniciator në Mitrovicën e Veriut, që pretendon se firmat e nevojshme janë grumbulluar.

Por ky proces duhet të kalojë tani nëpër të gjitha procedurat ligjore dhe aktet normative. Kjo fazë do të kërkojë kohën e vet, siç deklaroi për A2CCN, kryetari i komisionit të ligjeve nga VV-ja,  Adnan Rrustemaj.

Hapi i radhës tani është që peticionet e votuesve të regjistruar t'u dorëzohen kryetarëve të kuvendeve komunale.

Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t'ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtim dhe verifikim. Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve.

Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Të gjitha këto faza marrin shumë kohe, por nëse nuk ka ndonjë parregullsi, më së afërmi nga fundi i vitit presidentja Osmani mund të marrë vendimin për mbajtjen e tyre. Por në mes zbatimit te ligjit dhe dëshirës se "Listës Serbe” të mbështetur nga Vuçiçi, do të vazhdojë te ketë përplasje, e cila mund të amortizohet vetëm nga presioni i QUIN-it. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos