Kosova dhe Serbia kanë bërë progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.
Këtë e konfirmon i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, gjatë një eventi të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Europës”.
Ndërmjetësuesi rikujtoi se e ardhmja europiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, u shpreh Lajçak.
Ai u bëri thirrje vendeve të rajonit tonë, veçanërisht Kosovës dhe Serbisë, që të përmbushin detyrimet sa më shpejt për të mos humbur momentin e mirë në rrugën drejt Unionit.
“Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkanin për BE-në”, tha mes tjerash ai. (A2 Televizion)