Bashkimi Europian konfirmon kthimin e dialogut, edhe pse vetëm në nivel kryenegociatorësh. Zëdhënësi Peter Stano njoftoi organizimin e një takimi mes Besnik Bislimit të Kosovës dhe Petar Petkoviç të Serbisë në datën 19 mars në Bruksel. Ftesën për kryenegociatorët e ka bërë ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, duke përcaktuar si temë kryesore, vendimin e Bankës Qëndrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.
“Ky do të jetë një takim i kryenegociatorëve në Bruksel, të martën e ardhshme. Dhe sikurse kemi thënë pas takimit të parë, i cili i dedikohej çështjes së vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, më tepër diskutime do të jenë të nevojshme. Ishte një takim i mirë... Do të ketë disa çështje në agjendën e ardhshme, të martën e ardhshme dhe natyrisht, në përgjithësi implementimi i së ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit është çështja më e rëndësishme, natyrisht aspektet individuale të kësaj çështjeje do të preken, si nga palët ashtu edhe nga lehtësuesi”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE.
Pjesëmarrjen e konfirmoi këtë herë zëvendëskryeministri I Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një këshilltari të tij, por duke mos përmendur se do të diskutojë për çështjen e dinarit serb.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, tha Klisman Kadiu, Këshilltar i Besnik Bislimit.
Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç ka pranuar ftesën e Lajçakut. (A2 Televizion)