Opozita thotë se hapi telashe, kreu i BQK “jep llogari”: Rregullorja e dinarit nuk negociohet

Nga Xhevahir Qardaku
13 Mars 2024, 20:13 | Ekonomi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, dëshmoi në një komision të kuvendit lidhur me rregulloren për dinarin serb. Ai mbrojti vendimin duke theksuar se partnerët ndërkombëtarë nuk kanë kërkuar ndonjë ndryshim dhe se nuk ka patur negociata me shtetin e Serbisë për të.

“S’mund të negociojmë rregullimin ligjor, financiar, monetar të vendit me askënd. Dhe e dyta as nuk kemi nevojë për diçka të tillë. Rregullorja është në fuqi dhe është në zbatim”, tha Ahmet Ismaili, Guvernator i BQK.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e pyeti guvernatorin nëse kishte shkuar në Bruksel me ftesë të drejtpërdrejtë nga BE.

“Jam i bindur që hapni derë e cila ka me na bërë telashe në muajt dhe në vitet e ardhshme. Këta krejt I kanë pranuar (LVV), të gjitha edhe Manastirin e Deçanit dhe Asociacionin, tash keni me biseduar për këtë dhe ti ke me biseduar për këtë”, deklaroi Avdullah Hoti, deputet i LDK.

Guvernatori dha këtë përgjigje.

“Ftesë BQK-ja nuk ka marrë...Neve nuk na është kërkuar duhet me qenë saktë dhe korrekt për këtë çka po flas. Neve na është dërguar një email i cila na është dërguar nga zyra e Lajçakut prej zyrës së kryeministrit na u është dërguar, ku kanë thënë që a dëshironi ju të merrni pjesë për rregulloren e juaj. Përgjigja jonë ka qenë se duhet të shqyrtohet”, shtoi ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se çështja e dinarit është ngritur edhe në Këshillin e Europës, kurse ligjvënësi I PDK-së, Ferat Shala, kërkoi sqarime nëse BQK ka zhvilluar konsultime me qeverinë përpara se të shkonte në Bruksel. Guvernatori konfirmoi se konsultime ka patur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos