Debati në Kuvendin e Kosovës, miratohet buxheti prej 4 miliardë euro

Nga Ideal Gola
16 Shkurt 2026, 23:26 | Ekonomi

Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë buxhetin për këtë vit, me 66 vota pro, aq sa ka shumica parlamentare.

Projektligji për buxhetin, i miratuar fillimisht më 31 tetor të vitit të kaluar, u riaprovua edhe nga Qeveria e re në mbledhjen e saj të parë javën e kaluar, për t’iu dërguar sërish Kuvendit për shqyrtim.

Buxheti kap vlerën prej 4 miliardë eurosh. Nga kjo shumë, rreth 867 milionë euro janë paraparë për komunat e Kosovës, shkruan A2.

Sipas ndarjes buxhetore, 980 milionë euro destinohen për paga dhe shtesa, 545 milionë euro për mallra dhe shërbime, 1 miliard e 358 milionë euro për subvencione dhe transfere, ndërsa 998.4 milionë euro për shpenzime kapitale.

Para votimit, në seancë u zhvillua debat i gjatë. Opozita kritikoi Qeverinë se buxheti nukreflekton premtimet e paraqitura nga kryeministri gjatë votimit për zgjedhjen e tij në Kuvend.

Gjithashtu, LDK ngriti çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës i cili nuk ishte i përfshirë.

Bedri Hamza nga PDK u shpreh: “Problemi qëndron që shumica prej tyre [premtimeve] nuk janë të reflektuara në këtë buxhet, nuk janë të reflektuara në vitin 2025 as për vitet vijuese dhe diçka që s'e ka konstruksionin financar mbetet në nivel të projkteve ideore dhe presin ndoshta në një periudhë në të ardhmen që të realiozhen”.

Lumir Abdixhiku i LDK tha: “Paradoksalisht, ky buxhet nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme por edhe shqetësuese se si Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet”.

Kryeministri Albin Kurti e mbrojti projektligjin, duke e cilësuar miratimin e tij si urgjent. Ai paralajmëroi rishikim të buxhetit gjatë muajit mars, pas hartimit dhe miratimit të programit qeveritar: “Do të ishte jonormale që ne të sjellim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave për nga kronologjia është: zotimet në fushatë, ekspozeja, programi dhe më pastaj rishikimi i buxhetit”.

Gjithashtu, ky buxhet parasheh pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që paguhen nga buxheti, pagë, e cila do të paguhet sa po të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos