Paralajmërohen protesta, shtrenjtimi i energjisë do të vështirësojë jetën e qytetarëve

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 20:11 | Ekonomi

Propozimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë kanë bërë që të ketë mobilizim dhe të paralajmërohen protesta. Ekspertet e ekonomisë presin rritje të çmimeve edhe të produkteve të tjera.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për rreth 15% ka nxitur pakënaqësi për shkak të paralajëmrimeve se do të ketë shtrenjtime edhe të produkteve të shportës.

Disa prodhues kanë paralajmëruar shtrenjtim të produkteve në rast se rritet çmimi i energjisë, mirëpo ekspertë thonë se shpesh edhe abuzohet me këto rritje duke tentuar të rritet fitimi.

“Bizneset do të tentojnë që edhe këtë rritje të kostos së energjisë elektrike ta reflektojnë menjëherë në çmimet finale të tyre e dyshoj që do të jetë në nivelin e njëjtë, e gjithmonë pastaj rritja që po reflektohet në treg po është jopropocionale me rritjen e kostos e cila po përmban edhe marzh shtesë të fitimit të bizneseve”, thotë Blendi Hasaj.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh. Gjatë natës tarifat janë më të lira.

Për këtë Rregullatorit i sugjerohet që të shtojë numrin e këtyre bllok tarifave.

“Këta konsumatorët e vegjël e të cilët janë të mirë për ekonominë sepse e kursejnë energjinë elektrike, të mos rëndohen me tarifa më të larta por të shikojnë se në rast se kemi konsumatorë më të mëdhenj që është edhe një sinjal që nuk janë aq të kujdesshëm dhe me kursimin e energjisë për ata të aplikohen tarifa të reja apo më të larta pra të zgjerohej blloku aktual i konsumit të energjisë elektrike”, shton Hasaj.

Ndërkohë qytetarët në rrjete sociale përmes një grupi kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike kanë filluar organizimet në kundërshtim të këtij propozimi.

“Jemi bërë bashkë edhe me çdo kusht jemi duke u organizuar që mos të lejojmë në asnjë formë që ZRRE të kalojë me datën 11[prill] edhe kur pritet të merret vendimi zyrtar, nuk do të lejojmë me asnjë kusht me gjithë kapacitetet që i kemi që kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike të bëhet edhe reale”, thotë Besnik Shabiu.

Ky grup ka pasur takime me Avokatin e Popullit ndërsa iu kërkojnë qytetarëve që deri më 28 mars të dërgojnë komentet e tyre kundër shtrenjtimit të energjisë. Ndërsa paralajmërojnë edhe protesta.

“Nëse nuk ka reflektim absolutisht jemi në prag të përgatitjes si një ndër protestave më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë për çështje të tilla”, shton Shabiu.

Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e saj me energji, andaj edhe importon. Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos