Bizneset e Kosovës janë në rrezik për shkak të ngrirjes së fondeve të USAID. Kështu shkruan agjencia e lajmeve Reuters, që i kushton një reportazh çështjes. Kenan Gashi i pret gjymtyrët e kukullave të vjetra në dyqanin e tij në Kosovë dhe i hedh ato në makineri të dhuruara nga qeveria amerikane, të cilat copëtojnë dhe pastrojnë plastikën në mënyrë që ajo të shitet për ripërdorim.
Biznesi reciklues i Gashit në Fushë-Kosovë u transformua kur siguroi pajisjet nga agjencia ndërkombëtare e ndihmave, USAID, dy vjet më parë, diçka që shtyu të bënte plane për punësimin e më shumë punonjësve. Por tani Gashi është i shqetësuar. Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara, me vlerë 130 mijë dollarë, ende nuk ka arritur.
Administrata e presidentit Donald Trump i ka ngrirë fondet e USAID-it dhe po punon për të reduktuar në mënyrë drastike ndihmat amerikane nëpër botë, mbi bazën e agjencisë së tij, Amerika e Para, shkruan A2 CNN.
“Kemi siguruar tashmë 70 përqind të makinerive, por tani këmbi ngecur këtu dhe ky supozohej të ishte një projekt i madh. Plani ishte të kishim 20 punonjës në të ardhmen. Momentalisht jemi pesë dhe unë nuk e di se çfarë do të ndodhë”, thotë Gashi.
Një tjetër reciklues, Qazim Grashtica, rrëmon në plehrat rreth Prishtinës çdo ditë, në kërkim të materialeve plastike. USAID i ka siguruar atij një traktor të vogël dhe një makineri për shtypjen e plastikës. Kjo ndihmë i kishte rritur të ardhurat e tij nga 5 euro në 20 euro në ditë.
Javën e kaluar, në një deklaratë, presidenti amerikan Donald Trump përmendi donacionet për reciklimin në Kosovë, si një shembull të shpenzimeve që synon të reduktojë qeveria. “Dy milionë dollarë për të zhvilluar modele të qëndrueshme të riciklimit për të rritur kohezionin socio-ekonomik në mesin e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, ato ashkali dhe egjiptian. Po flasim për qindra miliarda dollarë.”
Think tanku me bazë në Prishtinë, GAP, thotë se USAID po menaxhonte aktualisht 17 projekte me vlerë prej më shumë se 156 milion dollarësh, por është e paqartë se sa prej fondeve janë disbursuar. Banorët dhe politikanët thonë se Kosova është një prej vendeve më të varfra në botë dhe mbetet e varur nga ndihmat ndërkombëtare.
Të rrezikuara janë fondet e destinuara për fuqizimin e institucioneve demokratike, ato për përshpejtimin e tranzicionit nga qymyri ndotës tek energjia e rinovueshme dhe për të mbrojtur grupet e margjinalizuara. (A2 Televizion)