Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me asociacionin.
“Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hovenier duke theksuar se Asociacioni “nuk duhet të jetë nivel i tretë i pushtetit dhe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive”.
Pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë ka thënë para mediave se SHBA-ja nuk do një tjetër Republikë Srpska dhe as diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës.
Të hënën, ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, bisedoi për formimin e asociacionit në Kosovë, me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç. Takimi i tyre u zhvillua në Bruksel, në të cilin është diskutuar gjerësisht për marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit deri më tani. Petkoviç njoftoi se një ekip ekspertësh nga Serbia morën pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij.
Lëvizje pritet të ketë edhe në Prishtinë sa i përket formimit të asociacionit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar dërgimin e disa vërejtjeve me shkrim në Gjykatën Kushtetuese lidhur me draft-statutin. Gjithashtu, pritet që të zhvillojë dhe një seri takimesh konsultuese me liderë dhe përfaqësues të partive opozitare. (A2 Televizion)