Mes shqetësimeve për krisje të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, për shkak të vendimit të Kosovës për dinarin, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca përpiqet të minimizojë situatën.
Ai thotë se nuk ka vend për panik dhe se i mirëkuptojnë kritikat e Shteteve të Bashkuara. Qëllimi sipas tij, nuk është të vihet në dyshim ligjshmëria e veprimeve të qeverisë por të parandalohen dalja e situatës nga kontrolli, nga reagimet e mundshme të serbëve.
Konjufca, i cili foli në përfundim të seancës gjyqësore për gazin lotsjellës, tha se është e drejtë e Kosovës të shtrijë sovranitetin në vend.
“Këto janë gjithmonë kritika me vend sepse SHBA e shohin Kosovën nivel shumë më të lartë se sa e shohim ne, e shohin në rajon, e shohin edhe në Evropë e shohin edhe në kontekstin e përgjithshëm global, qysh e shohim ne është e drejta e shtetit të Kosovës me shtri sundimin e ligjit dhe sovranitetin e vet, kjo është perspektivë më e ulët më e ngushtë por është perspektivë e të drejtës së Kosovës për me i krye punët e veta.”, tha Konjufca, i cili shtoi se mund të gjendet një e mesme e përbashkët mes të dy palëve dhe se qeveria është duke e bërë këtë.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë kritikuar së fundmi Qeverinë e Kosovës për shpërfilljen e kërkesave për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në. (A2 Televizion)