Urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë, Biden mesazh Kosovës: Bashkë për lirinë dhe kundër Rusisë

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 15:43 | Kosova

Urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë, Biden mesazh Kosovës:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpreh urimet e tij në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në një mesazh të dërguar për presidenten Vjosa Osmani, kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmon se Prishtina dhe Uashingtoni ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.

Presidenti Biden shpreh më tej mbështetjen e madhe të Amerikës për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Bashkimin Europian dhe institucionet euro-atlantike.

“Vazhdojmë të mbështesim përpjekjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin me Serbinë, që do të jetë një hap i rëndësishëm drejt njohjes reciproke.”

Ai më tej kërkon nga drejtuesit e Kosovës që të përmbushin detyrimet, përfshirë marrëveshjet e kaluar të arritura në kuadër të dialogut. Biden nënvizon se Uashingtoni pret që të vazhdojë punën me Prishtinën për të forcuar institucionet demokratike, por edhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

“Së bashku, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë lirinë. Gjithashtu, do të vazhdojmë të jemi bashkë me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë.”

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu mbështetje të plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke e konsideruar mënyrën e vetme për të ecur përpara për Kosovën dhe Serbinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos