Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi dy misionet ndërkombëtare UNMIK dhe EULEX se qëllimshëm nuk i kanë trajtuar krimet serbe ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë, përcjell A2 CNN.
Këto deklarata ajo i bëri gjatë fjalës së saj në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, që u mbajt në Prishtinë me organizim të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Mendoj që as UNMIK dhe as ELUEX nuk i kanë adresuar si duhet krimet e luftës dhe atyre u ka munguar vullneti, madje e konsideroj që ka qenë edhe politike, një tendencë për të bërë balancë ndërmjet krimeve që ka kryer Serbia në Kosovë dhe ndonjë krim tjetër që ka mundur të jetë individual jo nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Haxhiu.
Që nga përfundimi i luftës, vetëm për rastet e dhunës seksuale, në Kosovë janë ngritur vetëm 6 aktakuza.
Prokurori Ilir Morina u shpreh: “Që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it e deri në vitin 2023, Prokuroria Speciale ka të regjistruar mbi 77 raste të dhunës seksuale si krim i luftës, prej tyre ka 6 aktakuza të ngritura kurse rastet e tjera janë në trajtim”.
Si sfidë në trajtimin e këtyre rasteve u përmendën korniza ligjore, por edhe hezitimi i viktimave për të dëshmuar.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që nga kryerja e veprës penale dhe për pasojë janë vështirësuar mundësitë për sigurimin e provave. Hezitimi i viktimave për raportimin e rasteve është një sfidë shumë e madhe, disa herë e kemi përsëritur e vazhdojmë ta përsërisim, pa vullnetin e viktimës për të raportuar rastin në polici dhe prokurori nuk mund të ndërtojmë një rast”, deklaroi prokurori.
Si një tjetër pengesë për të zbardhur krimet e luftës u përmend edhe fakti se me rastet e tilla janë të angazhuar vetëm pesë prokurorë.
Albulena Haxhiu u shpreh: “Mendoj se me një numër kaq të vogël ende, me pesë, mendoj se është shumë e vështirë që të adresohen krimet e luftës. Së fundmi, kemi pasur angazhim në këtë drejtim, e vlerësojmë përpjekjen për të sjellë drejtësi, mirëpo natyrisht kapacitetet duhet të shtohen, qoftë me bashkëpuntorë profesionalë, qoftë me prokrurorë shtesë që merren me këto raste”.
Në Kosovë besohet të jenë rreth 20 mijë gra dhe burra si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Vasfije Krasniqi dhe Shurete Sulimani janë të vetmet që kanë rrëfyer publikisht rastet e tyre, ndërsa ka vetëm një serb të dënuar për dhunë seksuale. (A2 Televizion)