Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 22 vjet e gjashtë muaj burgim katër të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut.
Ish-efektivi policor Nedelko Spasojeviç u dënua katër vite e gjashtë muaj burg për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe me gjobë prej 4500 euro për armëmbajtje pa leje.
Marko Roshiç u dënua me 10 vjet burgim për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe me 10 mijë euro gjobë. Ish-polici Dragisha Markoviç u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Zharko Jovanoviç, gjithashtu ish-pjesëtar i policisë, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje dhe me gjobë prej 1500 euro.
Ish-sekretarja e Ivanoviçit, Sillvana Arsoviç u shpall e pafajshme për akuzën se ishte pjesë e grupit që vrau ish-politikanin. Procesi për këtë rast zgjati 4.5 vite, ndërsa u mbajtën mbi 50 seanca gjyqësore. Gjithashtu janë dëgjuar 40 dëshmitarë, ndërsa edhe pse disa prej tyre ishin të mbrojtur, kishin deklaruar se ishin kërcënuar me jetë. (A2 Televizion)