Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë një vizitë në Varshavë këtë të shtunë, pas incidentit të fundit me dy raketa ruse dhe një dron që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.
Vizita u konfirmua nga kryeministri polak, Donald Tusk, i cili bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me kreun e NATO-s lidhur me situatën e krijuar dhe reagimin e mundshëm të Aleancës.
Gjatë një konference për shtyp të premten, Tusk theksoi se autoritetet polake po diskutojnë me partnerët e NATO-s hapat që duhet të ndërmerren pas incidentit, duke kërkuar forcimin e menjëhershëm të mbrojtjes ajrore në krahun lindor të Aleancës.
“Po diskutojmë se si do të përgjigjemi”, deklaroi kryeministri polak, duke konfirmuar se Mark Rutte do të mbërrijë në Varshavë të shtunën dhe do t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me reagimin e NATO-s.
Tusk nënvizoi se pret vendime konkrete për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Polonisë dhe të vendeve të tjera në krahun lindor të Aleancës.
“Gjithmonë përpiqem të mos krijoj panik dhe të jem një partner serioz për ata me të cilët flas, por këtë herë do të pres vërtet, jo brenda orëve, por gjatë ditëve dhe javëve në vijim, vendime praktike për forcimin e aftësive tona të mbrojtjes ajrore”, u shpreh ai. (A2 Televizion)