
Seanca e parë e gjykimit për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit që nisi të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ndërprerë.
Për këtë rast akuzohen vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq si dhe Igor Dimiç, avokatët mbrojtës të të cilëve kërkuan përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliut nga ky rast.
Kërkesa e avokatëve erdhi për shkak se, sipas tyre, prokurori Kodraliu nuk i ka shqyrtuar provat që i kanë paraqitur si mbrojtje.
“Unë kam propozuar që të merren video incizimet nga dy objekte, që të bisedohet edhe me së paku katër persona, të bëhet analizë e stacioneve telefonike, të vërtetohet se nga cilat antena telefonike në kohën kritike ka pranuar sinjale dhe kjo do të tregonte se ku ka qenë, në asnjë prej rasteve nuk është vepruar kështu. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive, nuk na është treguar koha”, tha Nebojsha Vllaiç, Avokat i Jovan Viçentijeviq
“Më duhet t’i bashkohem kërkesës së kolegut, si ai edhe unë më 11 dhjetor 2024 i kam parashtruar kërkesën prokurorit special që ti dëgjojë katër dëshmitarë lidhujr me të pandehurin Dragisha Viçentijeviq dhe kam kërkuar të mblidhen video incizime të bankës KEP në Zubin Potok dhe stacionit policor në Zubin Potok, një orë para dhe një orë pas shpërthimit. Deri më sot, prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës time”, u shpreh Millosh Deleviç, Avokat i Dragisha Viçentijeviq.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, theksoi se Serbia nuk ka pranuar të bashkëpunojë për këtë rast, meqë të akuzuarit kanë shfrytëzuar operatorët e telefonisë serbe për komunikim.
“Komunikimet e Jovan Viçentijeviq kanë qenë komunikime përmes sistemit të telekomit të Serbisë, ku ne autoriteteve ju kemi drejtu dy herë për bashkëpunim por përkundër ofrimit të premtimit të bashkëpunimit, ne nuk kemi pranuar përgjigje nga ata. Për dëshmitarët e potencova që ka qenë sulm që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ne nuk kemi mundur në atë fazë të vlerësojmë se kush mund të jetë dëshmitar e i dyshuar”, deklaroi Bekim Kodraliu, Prokuror Special.
Gjyqtari Vesel Ismajli vendosi të ndërpresë seancën dhe gjykimi do të vijojë pas vendimit të Kryeprokurorit të Shtetit në lidhje me kërkesën për përjashtimin e prokurorit Kodraliu.
Në nëntor të vitit 2024 një shpërthim dëmtoi në masë të madhe kanalin e Ibër Lepencit, konsideruar si infrastrukturë kritike për shtetin e Kosovës, pasi rrezikoi furnizimin me ujë, me energji elektrike dhe shkaktoi dëme financiare.
Jovan e Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiç akuzohen për veprën penale "Rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrim apo dëmtim të instalimeve dhe pajisjeve publike” që lidhet me “kryerjen e veprës terroriste” dhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për “spiunazh”, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimin e inteligjencës së ushtrisë së Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione për KFOR-in e Policinë e Kosovës. (A2 Televizion)