Operacion në veri, mbyllen postat ilegale serbe

Nga Ideal Gola
5 Gusht 2024, 17:10 | Kronikë

Operacion në veri, mbyllen postat ilegale serbe

Në bazë të informacioneve të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë janë duke ushtruar veprimtari disa posta ilegale, policia ka ndërmarrë një operacion.

Dyshimet janë se filialet e postës serbe operojnë të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.

“Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale”, konfirmoi policia.

Operacion në veri, mbyllen postat ilegale serbe

Deri më tani dyshimet mbi këto posta kanë rezultuar të sakta dhe gjashtë prej tyre janë mbyllur duke iu vendosur shiritat përkatës.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”, vijoi njoftimi i policisë.

Lista serbe reagoi duke thënë se me mbylljen e filialeve të postës serbe po shkelen marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë dhe të ndalojnë këtë operacion policor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos