Mbyllet me të njëjtin fund, saga gjyqësore për rastin që shokoi opinionin publik në Kosovë 3 vite më parë, vrasja e 18 vjeçares Marigona Osmani.
Gjykata Themelore në Ferizaj shpalli sërish fajtorë pas rigjykimit, bashkëjetuesin e saj Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun. Ata u dënuan respektivisht me burgim të përjetshëm për vrasje dhe 15 vjet heqje lirie për bashkëpunim në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”, sikurse në aktgjykimin e parë, të shqiptuar në gusht të vitit të kaluar.
Marigona Osmani u vra, më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, me 21 gusht të vitit 2021 Krivaqa, pa pëlqimin e të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale, e ka abuzuar dhe keqtrajtuar në forma të ndryshme. Siç thuhet, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
“I akuzuari, Dardan Krivaqa më datën 21 gusht 2021, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj, në intervalin kohor nga ora 10:14 deri të nesërmen më datën 22 gusht të vitit 2021 në ora 14:43, në mënyrë mizore e privon nga jeta të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht në vazhdimësi kohë pas kohë, me vetëdije, ndërmerr vendime të dhunshme posaçërisht të rënda ekstreme ndaj saj, duke e goditur me një shkop të drurit, ngjyrë të zezë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar mundime dhe dhimbje të mëdha fizike dhe psikike”.
Më 23 shkurt të këtij viti, Apeli miratoi ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin dhe e ka kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë procesit. Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka deklaruar se është pjesërisht i kënaqur me vendimin, ndërsa ka kërkuar burgim të përjetshëm edhe për Sejdiun. (A2 Televizion)