Tronditet Ferizaj, 59-vjeçari plagos me thikë 4 kalimtarë

Nga Ideal Gola
11 Nëntor 2024, 23:34 | Kronikë

Ferizaj u trondit pasditen e së hënës nga një ngjarje e rëndë ku një person plagosi me thikë katër persona, mes tyre dy vajza të mitura, një të moshës 10-vjeçare dhe një e moshës 15-vjeçare në rrugën “Enver Topalli”.

I dyshuari është 59-vjeçari me inicialet E.S., i cili plagosi edhe një 29-vjeçar dhe një 32-vjeçar në rrugët “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”. Motivi i ngjarjes ende nuk dihet, por policia thotë se është duke hetuar rastin, shkruan A2 CNN.

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, u shpreh: “Pak para orës 16:00, një person ka sulmuar me thikë katër persona të tjerë, kalimtarë të rastit, dhe me këtë rast dy nga ta janë me lëndime më të rënda dhe dy me lëndime më të lehta. Agresori është arrestuar dhe është duke u trajtuar nga ekipet hetuese të Policisë së Kosovës. Besoj se edhe motivi do të merret vesh shpejt”.

Tre nga të plagosurit u sollën menjëherë në Klinikën Emergjente në Prishtinë, me 10-vjeçaren që iu nënshtrua një intervenimi që i shpëtoi jetën, ndërsa një tjetër pritet gjithashtu të operohet.

Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, theksoi: “Një vajë e cila ka qenë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, por pas intervenimit nga mjekët dhe futjes menjëherë në sallën operative gjendja tashmë është stabile dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë. Personi tjetër në gjendje më të rëndë është duke u trajtuar, reanimuar dhe rehabilituar në Klinikën Emergjente dhe mund të ndodhë që edhe ai të ketë nevojë për një intervenim kirurgjik”.

I plagosuri i tretë po trajtohet në Kirurgjinë Maksilofaciale, ndërsa një tjetër është trajtuar në Ferizaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos