27-vjetori i masakrës, mohimi i Reçakut, krim i dyfishtë i Serbisë

Nga Ideal Gola
15 Janar 2026, 15:47 | Politikë

Në Reçak, 27 vjet pas masakrës që tronditi Kosovën dhe opinionin ndërkombëtar, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe spektrit politik bënë homazhe për 45 civilët e vrarë.

Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999, shënoi një pikë kthese në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë dhe ndikoi drejtpërdrejt në mobilizimin e diplomacisë perëndimore.

Nga kompleksi memorial u përsërit kërkesa për drejtësi për një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, që edhe sot mbetet i pandëshkuar.

“Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Presidentja Osmani. “Reçaku për ne mbetet plagë e hapur sepse ende nuk ka drejtësi. Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një punë të mirë me intervenimin e saj, por jo edhe për sjelljen e autorëve para drejtësisë”, tha Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

“Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua, u vetëdijesua dhe u mobilizua edhe opinioni publik ndërkombëtar, si dhe kancelaritë diplomatike perëndimore”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Në homazhe morën pjesë edhe liderë të partive politike dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, të cilët nderuan viktimat dhe ritheksuan angazhimin për zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve të luftës.

“Falë sakrificës, jetës dhe gjakut të të gjithë këtyre sot por edhe ngjarjeve gjithandej Kosovës ne gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë do të shprehim respektin deri në përulësi për kontributin dhe veprën e tyre”, tha kreu i PDK, Bedri Hamza. “Sot shënojmë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut. Një ndër ngjarjet më tragjike të kontinentit apo të historisë moderne të Evropës”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK. “Masakër që e ktheu vëmendjen e NATO-s, Amerikës, për krimet serbe në Kosovë. U jemi mirënjohës UÇK-së, gjithë brezave që kanë luftuar për liri”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Në Kompleksin Memorial të Reçakut është ngritur edhe statuja e William Walkerit, ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili ishte i pari që e cilësoi masakrën në këtë fshat si krim kundër njerëzimit, duke e bërë të njohur të vërtetën para opinionit ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos