Arben Vitia në interpelancë, opozita në Kosovë kërkon debat për energjinë

Nga Leonora Kolukaj
9 Nëntor 2026, 18:08 | Politikë

Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës plenare të mbahet të enjten, ku do të diskutohen çështje të energjisë dhe shëndetësisë.

PDK-ja ka kërkuar interpelancë ndaj ministrit Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi. Por, nga kjo parti nuk pati deklarim për media.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se në seancë do të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë.

“Do të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare të cilat kaluan sot në Komisionin për Legjislacion, nga fusha e drejtësisë. Pas këtyre marrëveshjeve është edhe interpelanca me Ministrin e Shëndetësisë e inicuar nga PDK dhe pastaj edhe mocioni përmbajtësor në lidhje me trajtimin e çështjes së energjisë”.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca kërkoi debat parlamentar për çështjen e energjisë elektrike dhe shpenzimet për importin e saj. Tahiri përmendi edhe vështirësitë me të cilat qytetarët përballen në sektorin e shëndetësisë.

“Blerja e rrymës mbi 1 miliard euro, është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim dhe diskutim parlamentar, për shkak se është e pabesueshme që për gjashtë vjet mos me mujt me u renovu B1”

Ndërsa, Jehona Lushaku nga LDK-ja e cilësoi alarmant Raportin e Progresit dhe paralajmëroi kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme për diskutimin e tij.

“Për këtë procedurë formale do t’i bëjmë sot nënshkrimet; kemi mbledhur nënshkrime nga të gjitha partitë politike dhe në këtë mënyrë po luajmë rolin tonë si opozitë për të kërkuar llogaridhënie për reformat që ka konstatuar edhe Raporti i Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë fare në fokus dhe faktikisht kjo po e stagnon Kosovën në rrugëtimin e saj evropian”.

Kujtojmë se Shoqata “Renesansa” kishte alarmuar për rastin e pacientes, e cila vdiq pasi për katër muaj mbeti pa terapinë e nevojshme. Për këtë rast, të enjten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të përballet me pyetjet e deputetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos