12 milionë e 400 mijë lekë të vjetra është vlera totale e gjobave të vendosura ndaj qytetarëve protestues nga Policia e Shtetit, pas hyrjes në fuqi të aktit normativ të miratuar nga qeveria për zhvillimin e protestave. Sipas të dhënave, që prej datës 3 nëntor, Policia ka vendosur gjithsej 149 masa administrative ndaj qytetarëve, për veprime të cilësuara si të dhunshme gjatë tubimeve.
Në 148 raste masa është vendosur në 5 mijë lekë secila për bllokim të rrugës. Një protestues është ndëshkuar me gjobën maksimale prej 500 mijë lekësh të reja. Mësohet se shkak është bërë goditja e efektivëve të policisë gjatë protestës. Në total, bëhet fjalë për 12 milionë e 400 mijë lekë të vjetra gjoba në gati një javë.
Masat administrative vijnë në zbatim të rregullave të reja të përcaktuara nga akti normativ, i cili parashikon ndëshkime për qytetarët që kryejnë veprime të dhunshme gjatë protestave. Megjithatë, qytetarët e ndëshkuar kanë të drejtën të ankimojnë gjobat në gjykatë, nëse kundërshtojnë vendimin e Policisë së Shtetit. Përmes kësaj procedure, ata mund të kërkojnë shqyrtimin dhe vlerësimin ligjor të masës administrative të vendosur ndaj tyre. Akti normative I qeverisë ka hyrë në fuqi, ndërsa brenda një muaji do të duhet të votohet në parlament. Paralelisht kanë nisur dhe ankimimet në gjykatës kushtetuese që kërkojnë rrëzimin e ndryshimit në ligjin për tubimet. (A2 Televizion)