Ndërprerje energjie, sulme kibernetike dhe luftëra, si po përgatiten Europa dhe SHBA për skenarët e emergjencës

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2026, 16:29 | Bota

Ndërprerje energjie, sulme kibernetike dhe luftëra, si po

Ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike, fenomenet ekstreme natyrore, incidentet bërthamore, krizat shëndetësore dhe luftërat që mund të përhapen në shkallë globale. Përballë një situate ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe infrastrukturave gjithnjë e më të cenueshme, disa vende kanë nisur t’u kërkojnë qytetarëve të kontribuojnë aktivisht në përballimin e emergjencave.

Sipas udhëzimeve të publikuara në broshura të posaçme, qytetarët duhet të marrin masa për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve, aq sa është e mundur. Një nga rekomandimet kryesore është përgatitja e një pakete mbijetese, që përfshin ujë, ushqime me afat të gjatë përdorimi, ilaçe, radio me bateri dhe pajisje të tjera të nevojshme. Qëllimi është të sigurohen kushtet bazë për disa ditë, deri në një javë, edhe në rastet e emergjencave të rënda.

Britania e Madhe, plani “Be Ready”

Në Britaninë e Madhe, prej javësh po diskutohen skenarë të mundshëm katastrofikë. Një prej tyre është edhe plani i gjerë emergjent “Black Sky”, i hartuar nga BBC-ja për të vijuar transmetimin në rast se interneti ndërpritet.

Që prej tetorit, qeveria ka nisur fushatën “Be Ready” – “Jini të përgatitur”. Përballë një skenari hipotetik prej tri ditësh pa ujë, energji elektrike dhe lidhje telefonike, qytetarëve u kërkohet të kenë rezerva të mjaftueshme. Konkretisht, rekomandohen:

- Ujë: 9 litra për person.

- Ushqime që nuk prishen: konserva, fruta të thata dhe ushqime që mund të konsumohen pa u gatuar.

- Batanije dhe veshje të ngrohta.

- Radio.

- Elektrik dore me bateri.

- Bateri të jashtme për karikimin e pajisjeve.

- Ilaçe dhe produkte bazë për higjienën personale.

- Para cash, në rast të ndërprerjes së pagesave elektronike.

Për të moshuarit dhe personat më vulnerabël ekziston regjistri “Priority Services Register”, përmes të cilit kompanitë e energjisë dhe ujësjellësit mund të identifikojnë personat që kanë nevojë për ndihmë më të madhe.

Gjithashtu, rekomandohet që çdo familje të hartojë një plan të posaçëm, duke përcaktuar pikat e takimit dhe detyrat e secilit anëtar. Qytetarët këshillohen të mësojnë edhe njohuritë bazë të ndihmës së parë, në mënyrë që të mund të ndihmojnë të tjerët pa pritur mbërritjen e ambulancës, e cila në emergjenca të përmasave të mëdha mund të mos arrijë t'u përgjigjet të gjitha thirrjeve.

Franca: “Të gjithë janë përgjegjës”

Edhe në Francë, elementi kryesor për përballimin e situatave të krizës kombëtare është përgatitja e qytetarëve. Këtë e përcjell edhe titulli i broshurës së publikuar që në nëntor 2025: “Të gjithë përgjegjës”.

Qytetarëve francezë u rekomandohet të mbajnë gati:

- Ujë: 6 litra për person për 72 orë.

- Ushqime që nuk prishen.

- Radio me bateri.

- Elektrik dore me bateri, qirinj dhe çakmakë.

- Bateri të jashtme.

- Ilaçe dhe kopje të recetave mjekësore.

- Para cash dhe çelësa rezervë të banesës.

Udhëzuesi përmban edhe këshilla specifike për lloje të ndryshme emergjencash, nga përmbytjet dhe aksidentet industriale deri te epidemitë dhe sulmet kibernetike.

Në përgjithësi, qytetarëve u kërkohet të mos përdorin telefonin pa nevojë, për të shmangur mbingarkimin e linjave, si dhe të mos shkojnë të marrin fëmijët nga shkolla, ku ekzistojnë tashmë plane të përcaktuara evakuimi. Ata këshillohen të ndjekin vetëm udhëzimet zyrtare të prefektëve, të cilët koordinojnë operacionet e shpëtimit dhe ndihmën civile.

Suedia dhe Holanda, vëmendje te paratë cash dhe lufta psikologjike

Edhe Suedia dhe Holanda kanë publikuar muajt e fundit dokumente të posaçme për informimin e qytetarëve. Ato titullohen “Në rast krize ose lufte” dhe “Mendo për të ardhmen”.

Rekomandimet bazë janë të ngjashme me ato të Britanisë së Madhe dhe Francës: ujë, ushqime të konservuara, veshje të ngrohta, bateri të jashtme dhe pajisje të tjera të domosdoshme. Në këto dy vende, megjithatë, qytetarëve u kërkohet të jenë të përgatitur për të përballuar vetë situatën për një javë, me vëmendje të veçantë te mënyrat e pagesës.

Stokholmi këshillon mbajtjen e 100 koronave suedeze cash për çdo të rritur, ndërsa Amsterdami rekomandon 70 euro për çdo të rritur dhe 30 euro për çdo fëmijë. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të identifikojnë paraprakisht strehimet më të afërta me banesën e tyre.

Një element veçanërisht i rëndësishëm në udhëzimet e të dy vendeve është paralajmërimi për sulmet psikologjike dhe dezinformimin. Qytetarëve u kërkohet t'u besojnë vetëm burimeve zyrtare, të verifikojnë çdo lajm përmes disa burimeve dhe të mos shpërndajnë informacione të dyshimta, duke treguar kujdes ndaj përmbajtjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Suedia i kushton një pjesë të veçantë sigurisë kibernetike, duke këshilluar përdorimin e fjalëkalimeve të forta dhe krijimin e kopjeve rezervë të të dhënave të rëndësishme. Vendi nordik rikujton gjithashtu se të gjithë personat nga mosha 16 deri në 70 vjeç mund të thirren për të kontribuar në mbrojtjen kombëtare. Ky detyrim nuk lidhet vetëm me shtetësinë suedeze, por edhe me personat që banojnë në territorin e vendit.

Plani amerikan për të mbajtur funksionale bazat ushtarake në rast të një ndërprerjeje totale të energjisë

Edhe jashtë Evropës janë hartuar plane të ndryshme emergjence. Në Shtetet e Bashkuara, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka punuar për programin “Fortress America”, i cili synon të mundësojë vijimin e funksionimit të bazave ushtarake edhe nëse një sulm kibernetik apo sabotim nxjerr jashtë funksionit rrjetin elektrik.

Për këtë qëllim, plani parashikon:

- Pavarësi energjetike.

- Sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

- Rezerva strategjike karburanti, municionesh dhe ilaçesh.

- Mbrojtjen fizike dhe kibernetike të instalimeve.

- Sigurinë e komunikimeve satelitore dhe sistemeve të tjera të komunikimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos